Darko Kaevski, deputeti maqedonas i LSDM-së, partisë e cila qeveris në koalicion me partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, BDI-në, ka shrehur mbështetjen e partisë së tij për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër të qeverisë teknike.
Ai e lavdëroi Xhaferin në fjalën e tij në Kuvendin maqedonas, për të cilin tha se ka dhënë kontribut “në një kohë me sfida të mëdha”, raporton Gazeta Express.
“Xhaferi ka dhënë kontributin e vet në një kohë me sfida të mëdha. Në mandatin e tij u miratuan vendime shtetërore për ardhmërinë e vendit dhe për ruajtjen e standardit të qytetarëve. Me vendimet e tij dhe me forcat pro-europiane në Kuvend, në vitet e kaluara u bëmë anëtare e NATO-s, pas 17 vjet pritje filluam negociatat për hyrjen në BE”, tha Kaevski.
Ai tha se “nuk do të lejojmë një skenar destruktiv që të ketë sukses”, ndërda parashikoi se VMRO-DPMNE do t’i humbasë zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
“Qeveria e ardhshme do të jetë pro-europiane”, tha ai.
Pas diskutimit, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet ta zgjedhin qeverinë teknike me në krye Talat Xhaferin. Kjo qeveri do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.












