Robert Kozma, një deputet i Frontit të Gjelbër dhe të Majtë në Kuvendin e Serbisë, ka folur për Danasin, mediumin opozitar në Serbi, në lidhje me Milan Radoiçiqin, i akuzuar nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë.
Sipas Kozmas, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, është përgjegjës për krijimin e grupit të Radoiçiqit dhe të Listës Serbe.
“I krijoi politikisht, u mundësoi liderëve të tyre të bëhen elita e re ekonomike dhe sundimtare në veri të Kosovës. Ai i quajti ata ujqërit e tij. I ftoi në galerinë e Kuvendit Kombëtar. Dhe i shërbenin për të krijuar tensione në Kosovë nëse do të ishte e nevojshme ose për të mbytur zërat e serbëve të ndershëm nga Kosova që donin t’i zgjidhnin problemet e tyre të përditshme, të cilat regjimi i SNS-së i ndërlikoi dhe kërcënoi edhe më shumë. Dhe tani ai nuk dëshiron që askush t’i kujtojë se i ka uzurpuar të gjitha resurset e qeverisë dhe se politika e tij ndaj Kosovës ishte një fiasko e plotë” – ka thënë Kozma, trasmeton Danas.