Në përpjekje për t’i kthyer Kosovën e Serbinë në tryezën e bisedimeve, emisarë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia qëndruan të shtunën në Prishtinë dhe në Beograd, ku paraqitën kërkesat e tyre.
Mesazhi kryesor i emisarëve, sipas deputetes së AAK-së, Albana Bytyqit, është rikthimi në dialog.
“Dialogu, dihet që arsyeja e emisarëve këtu në Kosovë, është e qartë që të kthehet dialogu. Sic e kemi parë, Lajcak ka dhënë një deklaratë ku ka kërkuar që Kurti e ka një përgjegjësi kryesore për normalizimin e relacioneve ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe po shpresojmë që Kurti të ketë kujdes dhe të mos pranoj një asociacion me kompetenca ekzekutive”, u shpreh ajo për Front Online.
Bytyqi kërkon që Kurti të mos marr ndonjë vendim që është në dëm të shtetit.
“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të kthehemi në dialog, kryeministri Kurti duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe të mos pranoj Asociacion me kompetenca ekzekutive, të mos bëjë diçka në dëm të shtetit tonë, mirëpo ajo çka është me rëndësi është që të ketë kujdes çka do që i vjen në tavolinë”, u shpreh ajo për Front Online.
Bytyqi fajëson Kurtin që nuk po i bën presion BE-së për sanksionimin e Serbisë
Sot, janë bërë një muaj nga sulmi terrorist në Bajnskë të Zvecanit.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi në një intervistë për Front Online ka folur edhe për atë se a duhet të sanksionohet Serbia pas sulmit që ndodhi në Banjskë të Zveçanit.
Ajo fajëson Kurtin që nuk po i bënë presion BE-së për sanksionim të Serbisë.
“Përveç deklaratave, ndoshta kryeministri Kurti nuk po merr hapa të sigurt që t’i bëjë në një farë forme edhe presion BE-së, që ata të sanksionojnë Serbinë”, u shpreh ai.
Ajo thotë që për çdo gjë, Qeveria duhet të bashkëpunojë me SHBA-të.
“Ne shpresojmë shumë që Serbia të marr sanksione nga BE-ja, mirëpo ajo çka është me rëndësi është qe ne e kemi rol kyç dialogun që ne të pavarësohemi dikur dhe çka është më e rëndësishme ne si shtet duhet të bashkëpunojmë me SHBA-të, dhe gjithashtu ne shohim që ne nuk kemi asnjë informacion nga kryeministri Kurti se çka ka ndodh, çka po vendos, apo a ka marrë ndonjë vendim”, u shpreh ajo.
Rezoluta për Policinë/ Deputetja e AAK-së i kundërpërgjigjet VV-së që thanë se opozita po e bën për merita politike
Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës e iniciuar nga PDK-ja u bojkotua edhe njëherë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend javën e kaluar.
Kjo, sipas VV-së për arsye se partitë opozitare po e bëjnë për merita politike.
Mirëpo një gjë të tillë, po e mohon deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Ajo ka thënë që kërkesat e tyre për policisë janë të sinqerta.
“Ne nuk e kemi politizu çështjen e policisë, mirëpo ajo çka është e rëndësishme ne i kemi qëndrimet më të sinqerta ndaj Policisë së Kosovës. Derisa LVV dhe Albin Kurti po krenohet me Policinë e Kosovës është edhe përgjegjësi e tij që të i rrit pagat, të jap pagat e rrezikshmërisë, shtesat dhe me thjeshta që mund të bëhen është që ata të kenë uniforma”, tha ajo.
Bytyqi thotë se Policia e Kosovës kanë nevoja të mëdha.
“Ne kemi shumë ankesa kur kemi pasë ankesa private, individuale, dhe ajo çka është më e rëndësishme çka janë anku edhe për veshmbathje, për çizmet që i kanë të shkyme, kjo është shumë e vërtetë. Qeveria a ka dalë në terren me i pa se sa janë të furnizuar mirë, por ajo çka është e rëndësishme që ata kanë nevojë për paga më të larta”, u shpreh ajo.
Deputetja e AAK-së: Qeveria Haradinaj i ka ngritur pagat e policëve, Kurti as shtesat nuk po i jep
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti për Front Online ka thënë ditë më parë se për 20 vite që ishin në pushtet, PDK, LDK e AAK nuk realizuan asnjë kërkesë të policisë, ani pse të tilla kërkesa kanë pasur në vazhdmsi.
Këtë nuk po e pranon deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Ajo për Front Online ka thënë se qeverisja Haradinaj i ka rrit edhe pagat për Policinë e Kosovës.
“Nuk mendoj që qëndron kjo, sepse ka disa arsye. Kur ka qenë qeverisja Haradinaj janë rrit pagat, e dyta pagat e rrezikshmërisë gjithmonë i kanë marrë, ndërsa tani nuk i marrin. Prej që është qeverisja në krye me Albin Kurtin, shtesat e rrezikshmërisë nuk i marrin, pagat shtesë nuk i marrin, gjë që i kanë marrë gjithmonë. Këto janë disa arsye të cilat qëndrojnë dhe nuk pajtohen me të cilat kanë dhënë një deklaratë që po bëjmë politikë, absolut ne i kemi qëndrimet më të sinqerta për Policinë e Kosovës, përderisa ata i kemi në krye të detyrës dhe kjo është arsyeja pse ne po i mbrojmë”, deklaroi ajo për Front Online.
Mosdekretimi i Isufajt/ Bytyqi: Nuk është i duhur vendimi, po bisedojmë me partitë për ta dërguar në Kushtetuese
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ajo renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.
Lidhur me këtë vendim të presidentes Osmani ka folur në një intervistë për Front Online, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.
Ajo thotë se vendimi për mosdekretim nuk është i duhur, e për këtë janë duke e diskutuar për ta dërguar në Kushtetuese.
“Me rëndësi është që Presidentja nuk duhet t’i dalë kundër përderisa i kanë shfrytëzuar të gjitha proceset në mënyrë të rregullt, nuk mendoj që është gjë e duhur, mirëpo ajo çka është e rëndësishme është që partitë opozitare po e diskutojnë që ta qojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe të dihet se a ka pasë të drejtë Presidentja të mos e dekretojë”, deklaroi ajo.
Bytyqi për paralajmërimin e Macronit: Të merret seriozisht, në çdo moment mund të ndryshojë
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka folur edhe për deklaratën e presidentit francez Emanuel Macron për çështjen e liberalizimit të vizave.
Ajo kërkon që deklarata e tij duhet të merret seriozisht nga Qeveria, pasi që sipas saj mund të ndryshojë në çdo moment.
“Kryeministri Kurti duhet me e marr më serioz deklaratën e Macronit, sepse mesazhet politike të cilat jepen, sepse unë mendoj që ai ka qenë mesazh politik, dhe duhet ta marrë pak më seriozisht këtë qasje, sepse asnjëherë nuk i dihet, përderisa ne ende nuk i kemi liberalizimin e vizave në çdo moment mund të ndryshojë ky mendim”, tha ajo.











