Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, pas bastisjes së Policisë së Kosovës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti është më e “korruptuara që nga pas lufta”.
Në një bisedë për Albanian Post, Kadrijaj, thotë se duhet të gjykohen dhe të burgosen të gjithë ata që kanë keqpërdorur paranë publike.
“Ne e kemi parë se kjo Qeveri prej fillimit të marrjes së mandatit synim e ka pasur kapjen e shtetit dhe institucioneve të pavarura siç kanë qenë Prokuroria dhe Policia. Ne e kemi parë edhe me ligjet të cilat i kanë miratuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kadrijaj.
Tashmë kuptohet qartë qëllimi i vërtetë që ka pushteti, thekson ajo.
“Ne si opozitë i kemi dërguar ligjet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe tash po del në pah qëllimi i vërtetë i kësaj Qeverie, nuk ka qenë luftimi i krimit dhe korrupsioni, por paska qenë kapja e pushtetit dhe amnistimi i korrupsionit nga kjo Qeveri”, ka shtuar ajo.
Në kuadër të Policisë së Kosovës, ajo thekson se është njësiti që merret me intervistimin e krimit dhe të korrupsionit, sipas saj, ekzekutivi “e ka zhbërë atë institucion në mënyrë që mos t’i marr në pyetje njerëzit të cilët tash në Lëvizjen Vetëvendosje janë të korruptuar, pra që të mos intervistohen e të mos hetohen”.
Deputetja e AAK-së thotë se i përgëzon për këto iniciativa organet e rendit, përkundër tentativave të ekzekutivit për t’i akuzuar se janë të lidhur me pushtetin e kaluar.
“Përkundër të gjitha përpjekjeve të këtij pushteti që t’i akuzojë prokurorë e gjyqtarë duke iu thënë që janë të pushtetit të kaluar, ne i përgëzojmë për guximin dhe iniciativat që po i marrin në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, ka shtuar ajo.
“Kjo është qeveria më e korruptuar që pas lufte dhe po e shohim me tenderët njëburimor që çdo ditë, po iu japin njerëzve dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosjes”.
Po e përfundoj, thekson ajo, “me atë thënien e Lëvizjes Vetëvendosje: Hajnat në burg, vërtetë hajnat le të shkojnë në burg”.
Pas raportimeve shtatë mujore të Albanian Post rreth keqpërdorimeve dhe vjedhjeve multimilonëshe me borxhin e ambalazhuesve te ujit, Policia këtë të martë ka bastisur Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Liburn Aliu.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se në ministrinë që e drejton Aliu janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë dhe të të ardhurave.
“Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, shpërlarjes së parasë dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, thuhet në përgjigjen e organit të akuzës për AP.
Gjithashtu është bërë e ditur se bastisja është kryer nga njësiti kundër krimeve ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Albanian Post pati raportuar se si në forma jo ligjore dhe me metodat të shpikura Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e ua ka shlyer borxhet milionëshe dhjetëra kompanive.
Ndërkaq sipas përllogaritjeve të para, nga dokumentacioni i siguruar nga Albanian Post, del se bëhet fjalë për rreth 90 milionë euro.
Çfarë ka ndodhur saktësisht?
Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.
Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.
Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.
Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.













