Deputetja Ganimete Musliu ka udhëtuar dje drejt Gjermanisë, për një ndërhyrje në zemër.
Ajo sot përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se rreth dy vite më parë, në QKUK është diagnostikuar me një problem në zemër dhe tërë kohën është trajtuar në Kosovë, por që tani mjekët kanë rekomanduar që ndërhyrjen duhet ta bëjë në Gjermani, pasi në Kosovë ende s’kanë kushte për ta bërë atë.
Deputetja Musliu ka thënë se sistemit shëndetësor në Kosovë i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve.
Ajo ka falënderuar të gjithë, derisa ka njoftuar se për një kohë duhet të tërhiqet nga puna e saj e përditshme.
Postimi i saj i plotë:
Të nderuar qytetarë
Të dashur miq
Ju që më keni qëndruar pranë në momente shumë të lumtura dhe në momente shumë të rënda,
ju njoftoj se, pas një vizite të mjeku në QKUK, rreth dy vite më parë u diagnostikova me një problem në zemër.
Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në reaprtin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua.
E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje.
Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse, por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë.
�Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë.
Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t’i nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit.
Mëqe me duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna ime e përditshme, dua t’ju falënderoj të gjithëve padallim, që më keni shkruar, jeni lutur për mua dhe më keni uruar gjithë të mirat.
Paçi edhe ju shendetin dhe të gjitha të mirat në jetë.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.