Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 24-të në këtë çështje (me kodin 4255) ka thënë se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte dikujt ishe të përshkruhej si kolaboracionist.
Këtë deklarim dëshmitari e kishte bërë në sesion privat por për të cilin është pyetur në pyetet plotësuese nga avokati Gregory Kehoe.
Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari tha se jo vetëm për të por për gjithë popullin ky term njihet si term i ulët, injorant dhe nënçmues.
Ndryshe, në sesion publik janë bërë pyetjet plotësuese nga ekipet mbrojtëse, bazuar në pyetjet e trupit gjykues pasi që paraprakisht, në sesion privat janë bërë pyetjet e ekipit mbrojtës së Selimit dhe Krasniqit si dhe pyetjet nga ana e trupit gjykues.
I pyetur se nga fundi i 1997-ës e deri në qershor 1998 a ishte e zakonshme që pjesëtarët e UÇK-së të vinin maska kur kryenin sulme në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, dëshmitari tha se ‘‘po ishte e zakonshme, ndoshta edhe e nevojshme për ta, unë nuk kam bart’’.
Kurse, u pajtuar se pas qershorit kishte ulje të përdorimit të maskave por se shtoi se ajo ka qenë vlerësim i secilit aty për aty.
Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokati Ben Emmerson tha se është e saktë që oficerët serbë vinin maska kur kryenin detyra të caktuara në Kosovë.
Në anën tjetër tha se është e vërtetë që në daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tre njerëzit-pjesëtarët e UÇK-së kishin vënë maska kur nderuan me tri të shtëna mësuesin e rënë.













