Keqmenaxhimi e ka përcjellur minierën e Trepçës për vite të tëra, e një gjë e tillë po ndodh edhe tash nën drejtimin e kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmani, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Dështimet në ndërmarrjen më të madhe minerare në vend janë të vazhdueshme, duke filluar nga ato më të thjeshtat siç është siguria.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë kur hajnat kanë arritur të hyjnë në njësinë e Elektrolizës për të vjedhur minerale.
Por krejt vonë janë hetuar nga punëtorët e sigurimit të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë pamundësuar këtë vjedhje.
Punëtorët e sigurimit u përballën me të dyshuarit, pasi njëri prej tyre i kërcënoi me armë duke iu thënë “Lëshone rrugën se trutë t’i qes n’tokë” dhe më pas janë larguar në një drejtim të panjohur, raportoi Sinjali.
Burimet thonë se posa Policia është njoftuar për rastin kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe janë marrë deklaratat e rojeve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë në tentativë” dhe “Kanosje”, si dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Të shtunën kishte ndodhur edhe dështimi tjetër kur shpërtheu zjarri në minierë./VERIU.INFO/












