Në mungesë të kuorumit nuk ka vazhduar seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.
Pas një pauze për më shumë se një orë, të pranishëm në sallë ishin vetëm 53 deputetë.
E për dështimin e seancave të Kuvendit të Kosovës, për FrontOnline, ka folur shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ai tha se dështimi i seancës së Kuvendit është papërgjegjësi politike e pushtetit, i cili ka shumicën parlamentare.
Tutje Tahiri, tha se mazhoranca është duke e degraduar punën e Kuvendit.
“Dështimi i seancës së sotme është vazhdimësi e një sjellje tërësisht të papërgjegjshme politike dhe parlamentare të mazhorancës, e cila, përkundër se përbëhet nga një numër i madh i deputetëve, është duke e degraduar punën e Kuvendit duke shpërfillur totalisht obligimet e saj për të siguruar mbarëvajtjen e seancave parlamentare dhe për të mundësuar avancimin e detyrave legjislative të Kuvendit”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se agjenda legjislative e Kuvendit ka degraduar për shkak të papërgjegjësi së deputetëve të shumicës.
“Që nga fillimi i punës së kësaj legjislature, përkundër që mazhoranca është e ndërtuar nga një shumicë parlamentare numerikisht stabile për të mundësuar funksionimin e Kuvendit dhe agjendës legjislative, ka pasur një degradim të plotë të kësaj agjende dhe punës së Kuvendit, pikërisht si shkak i papërgjegjësisë së deputetëve të mazhorancës”, deklaroi Tahiri.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës në rend dite ishte shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-033 për provimin e jurisprudencës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-070 për pijet e forta alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-010 për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-027 për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve.
Po ashtu në këtë seancë ishte paraparë edhe zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, dhe një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.













