Më 12 shkurt dy partitë kryesore opozitare kishin publikuar një kërkesë drejtuar Kuvendit Komunal të Vushtrrisë për shkarkimin në seancën e shkurtit të Kryesueses Melihate Basholli që vjen nga radhët e PDK-së.
Në kërkesën e publikuar në rrjete sociale nga LVV, në të cilën nuk shkruan data e përpilimit të saj, kishin nënshkruar 14 anëtarë të Kuvendit të Vushtrrisë nga radhët e LDK-së dhe LVV-së.
Kur erdhi seanca e shkurtit, në mungesë të numrave të nevojshëm për këtë shkarkim, këto dy parti opozitare me shumicë braktisën seancën e Kuvendit Komunal, duke bërë që mos të kishte kuorum për vazhdimin e seancës, raporton VeriuInfo.
Kërkesa e tyre për shkarkimin e Kryesueses së Kuvendit Komunal u procedua në seancën e sotme, por që nuk mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kuvendit Komunal, pasi që më 17 vota kundër dhe një abstenim kjo kërkesë nuk arriti të hyjë në rend të ditës.
Por kjo kërkesë për shkarkim të Kryesues krijoj edhe një situatë paradoksale, pasi që anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e LVV dhe LDK që kanë iniciuar shkakrimin nuk morën pjesë në seancë. Se cila logjikë e jep që të dorëzosh kërkesë dhe mos të marrësh pjesë në seancë ku shqyrtohet ajo, këtë mund ta dijnë vetëm nënshkruesit e saj nga LVV dhe LDK!?
Por jo të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e LVV dhe LDK zgjodhën bojkotin e seancës, pasi që sot në seancë morën pjesë Ali Januzi (LVV), Agron Përçuku (LDK), dhe Alban Bajrami (LDK)./Veriu.info












