Banka Kombëtare e Serbisë në Leposaviq gjatë ditës së djeshme ka qenë cak i një sulmi të armatosur nga persona të maskuar të cilët ia mësynë që të kryejnë një grabitje. Si pasojë e kësaj ka mbetur i lënduar një punëtor, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore për spital.
Gazeta Sinjali ka mësuar detaje të reja, ku sipas burimeve gjithçka ka ndodhur teksa punëtorët e kompanisë Henderson të cilët transportojnë para për nevojat e bankave, kanë qenë duke vendosur paratë në bankë.
Dy personat e dyshuar të maskuar dhe të armatosur dyshohet të kenë dalë nga një autoambulancë dhe janë afruar te automjeti ku ndodheshin mjetet që do transferoheshin në bankë.
Të dyshuarit kanë sulmuar automjetin me çekiç dhe më pas kanë hedhur gas lotsjellës dhe kanë shtënë me armë zjarri, ku si pasojë është plagosur njëri nga punëtorët që ishin duke kryer punën e tyre.
Me të parë sulmin dhe rrezikun që u kanosej, në rast ka ndërhyrë një punëtor tjetër i cili ndodhej brenda objektit të bankës dhe kishte parë gjithë situatën që atje. Ai ka shtënë me armë dhe kjo ka bërë që të dyshuarit të largohen me shpejtësi që aty.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Punëtori i cili mbeti i plagosur është dërguar me urgjencë në spital dhe sipas burimeve, pas intervenimit të mjekëve gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar ‘Tentim grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.
Ndryshe, pjesëtarët serbë që kanë punuar në Policinë e Kosovës, e kanë braktisur këtë institucion në fillim të nëntorit, si shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Për incidentin në Leposaviq u raportua dy ditë pas shkatërrimit të objekteve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, komuna po ashtu të banuara me shumicë serbe.
Zgjedhjet për komunat veriore të banuara me shumicë serbe janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë po ashtu dorëheqje për shkak të vendimit për targat.











