Diplomati amerikan, Gabriel Escobar, këtë muaj do të përfundojë mandatin e tij si Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit dhe emisarit për Ballkanin Perëndimor. Përgjatë tri viteve në këtë detyrë, Escobar ka qenë i përfshirë në negociatat që janë zhvilluar në mes të Kosovës dhe Serbisë, e si rezultat i kësaj dhe kërkesave ndaj palëve për të përmbushur zotime, Escobar ka qenë shpesh herë cak i fushatave kundër tij, shkruan Gazeta Express.
Por, ndryshe nga fushatat denigruese në rrejte sociale nga grupe llogarish me emra fiktivë dhe pa fotografi identifikuese, që në shumicën e rasteve shkruajnë në përkrahje të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, Escobar ka qenë cak edhe i shkrimeve në një ueb-faqe të quajtur “Frontliner” e që është në pronësi të Vudi Xhymshitit, një fotograf i cili edhe është vetëshpallur gazetar.
Por kur ka nisur të marrë formë kjo fushatë kundër emisarit amerikan Gabriel Escobar, fushatë e cila ka përfshirë edhe anëtarë të familjes së emisarit amerikan?
Pas një mbledhje të Qeverisë së Kosovës në të cilën Kurti ka folur për tri vjet qeverisje, në një konferencë për media atij i është bërë edhe një pyetje lidhur me diplomatin amerikan. Ka qenë pikërisht Vudi Xhymshiti i cili në këtë konferencë të 22 marsit 2024 e ka pyetur Kurtin për pretendimet e tij dhe kinse hulumtimet që Xhymshiti thotë se rekomandojnë se gruaja e Escobar ka marrë para nga Qeveria e Serbisë.
Gjithashtu Xhymshiti në këtë konferencë kishte folur edhe për një dokument që sipas tij rekomandon se një familjar i Escobar ka kryer shërbime lobimi për Millorad Dodikun e Republika Srpskas.
“Kryeministër, i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit Blinken, në vazhdimësi ka sulmuar karakterin tuaj politik, edhe para ardhjes së fundit në Kosovës. Madje kur u takua me presidenten tha se është garantuesja e vetme e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, kjo i bie në kundërshtim të plotë me protokollet diplomatike. Gjetjet e magazinës Frontliner, rekomandojnë se Gabriel Escobar, gruaja e tij, është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë. Ne kemi hapur dyshime se madje ajo mund të jetë duke u paguar nga Serbia për të lobuar për interesa të Serbisë kundër Republikës së Kosovës. Gjithashtu kemi gjetur një dokument, një kopje të kontratës, që rekomandon se një familjar i afërt i Gabriel Escobar është kontraktuar me Millorad Dodikun e Bosnje e Hercegovinë, në Republikën Serbe, për të lobuar në interesa të Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë në raport me politikën e jashtme të SHBA-së”, kishte deklaruar Xhymshiti në këtë konferencë, duke e pyetur Kurtin se cili do të jetë qëndrimi i Republikës së Kosovës nëse këto dalin të vërteta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përgjigjen e tij e kishte udhëzuar të njëjtin që t’i drejtohet Departamentit të Shtetit, meqë pyetjet s’janë për kryeministrin e Kosovës. Gjithashtu Kurti kishte thënë se në kohën që po jetojmë është shumë e vështirë të thuhet se çka është e vërtetë 100%.
“Jetojmë në një kohë kur është shumë e vështirë të thuash me saktësi se çka është e vërtetë 100 %. Mirëpo më vjen keq që t’iu them që këto pyetje s’janë për mua, janë për State Departamentin Amerikan”, ka thënë Kurti në konferencën e 22 marsit 2024.
Kurti ka thënë se mënyra më e mirë për të spastruar situata të tilla “të territ” apo “të mjegullës” është kontakti direkt me shtetet përkatëse, qofshin SHBA-të apo qofshin shtete të Evropës.
Video e konferencës nga minuta 42:15
Ndonëse këtij shkëmbimi të komunikimit nuk i ishte bërë jehonë pothuajse fare në mediat serioze në Kosovë, në rrjete sociale, sidomos në platformën “X”, një mal llogarish të pa identifikuara kanë vazhduar shpërndarjen e pretendimeve të tilla të pa faktuara dhe të pa verifikuara, duke e etiketuar Escobarin si “dikush që po ia mban anën Serbisë” në negociata.
Përveç “ushtrisë” së llogarive pa emër dhe fotografi që përkrahin Kurtin në “X”, pretendimet për Escobar i ka shpërndarë në baza ditore edhe vetë Xhymshiti.
E gjithë kjo fushatë kundër Gabriel Escobar ishte publikuar formë të një shkrimi në ueb-faqen e tij duke u thirrur në burime, ku thuhej se emisari është shkarkuar nga pozita për shkak të “hulumtimit” të ueb-faqes “Frontliner” në pronësi të Xhymshitit.
Në rrjetin social “X” pretendimi i pa verifikuar i Xhymshtiti kishte filluar të shpërndahej me të madhe e po ashtu edhe një media në gjuhën serbe në Kosovë “Kosovo Online” që njihet për afërsi me qeverinë e Serbisë, e kishte përkthyer shkrimin e Xhymshitit dhe e kishte publikuar si diçka të mirëqenë.
Në përgjigjen për Gazetën Express Departamenti Amerikan i Shtetit ka demantuar pretendimet e Xhymshitit. DASH i ka cilësuar gënjeshtra të gjitha që Xhymshiti ka shkruar në ueb-faqen e tij dhe kanë potencuar se Gabriel Escobar s’është shkarkuar nga pozita e tij dhe se në kuadër të rotacionit të rregullt të stafit diplomatik, Escobar do të marrë angazhim të ri në javët e ardhshme.
Gjithashtu në përgjigje nga DASH është thënë që gruaja e Gabriel Escobar kurrë s’ka marrë fonde nga Qeveria e Serbisë dhe se Escobar s’ka kurrfarë lidhje familjare me punonjësin e firmës ligjore nga Teksasi.
Për gjithë këtë fushatë kundër tij, Gabriel Escobar ka folur edhe vetë në një konferencë për gazetarë. Escobar ka ripërsëritur edhe një herë se gjithçka që është raportuar nga një i ashtuquajtur gazetar, referuar Xhymshtiit, janë gënjeshtra.
Gjithashtu Escobar kishte thënë se nuk është i vërtetë pretendimi si një burim nga Kongresi ka dhënë informacionin se ai do të lë pozitën e tij si emisar, duke qenë se Kongresi s’njoftohet për lëvizjet e stafit diplomatik. Emisari amerikan ka thënë se informacioni për “shkarkimin” e tij ka dalë pasi ka biseduar me Qeverinë e Kosovës dhe i ka njoftuar të njëjtit për lëvizjen e tij.
Lidhur me këtë, në një përgjigje për Zërin e Amerikës kanë folur nga Qeveria e Kosovës, të cilët kanë mohuar që një informacion i tillë ka rrjedhë nga kryeministria dhe kanë thënë se s’kanë kontakt me autorin e tekstit.
“Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për Zërin e Amerikës./GazetaExpress/