
Detaje të reja janë bërë të ditura nga ngjarja e rëndë e raportuar ditën e djeshme në Tiranë, ku një vajzë 28-vjeçare u mbajt peng për gati një javë dhe u dhunua nga bashkëjetuesi i saj, 31-vjeçari Gleard Gusholli.
28-vjeçarja e cila iu nënshtua ditën e djeshme një operacioni për shkak të dhunës babarbare që kishte pësuar, ndodhet aktualisht në spital dhe gjendja saj shëndetësore është e mirë.
Ndërkohë 31-vjeçari Gleard Gusholli dyshohet që të gjitha veprimet i ka kryer gjatë kohës që ndodhej nën efektin e lëndëve narkotike, raporton tvklan, kjo dhe për shkak të drogës që u gjet në banesën ku u mbajt e dhunua 28-vjeçarja.
Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet se u bë xhelozia, pasi në deklarimet e para që ka dhënë para hetuesve, Gusholli ka thënë se dhunën e ka ushtruar pasi dyshonte se e reja e tradhtonte.
Dy të rinjtë mësohet se ishin në një lidhje prej gati 1 viti dhe bashkëjetonin.
Kujtojmë se për rastin në fjalë në pranga përfunduan edhe 4 persona të tjerë. Dy prej të cilëve, Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi, akuzohen se ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërsa Arjan Sheta dhe Besmir Nurçellari akuzohen për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave.
Dinamika e ngjarjes
28-vjeçarja dhunohej dhe goditej me sende të forta, mes të cilave me këmbën e një karrigeje, që u sekuestrua në policia. Ka qenë motra e autorit së bashku me një vajzë tjetër që e çuan fillimisht 28-vjeçaren në ambientet e një klinike private në afërsi të komisariatit numër 2. Më pas kanë qenë mjekët e klinikës që kanë njoftuar policinë.
E teksa motra e autorit çoi të rënë për ndihmë mjekësore, bashkëshorti i saj e ndihmoi të arratisej, duke u bërë kështu bashkëpunëtor në krim.
Gjatë kontrollit në banesën ku e reja u mbajt dhe dhunua për ditë me radhë, Policia gjeti dhe sekuestroi kokainë dhe mjete që përdoren për konsumimin e kësaj lënde narkotike. Si provë materiale Policia gjeti edhe një këmbë karrigeje, me të cilën dyshohet se 31-vjeçari dhunoi barbarisht të renë që kishte disa kohë që kishin krijuar marrëdhënie intime.
/Gazeta Express










