Kryeministri Albin Kurti, në Britani foli edhe për çështjen e bashkimit me Shqipërinë, kauzë kjo e Vetëvendosjes qysh nga themelimi.
Kurti në Kembirxh, theksoi Kushtetuta aktuale nuk e lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, teksa e ka quajtur atë kundërthënëse, duke e fajësuar emisarit special të OKB-së, Martti Ahtisaarit.
“Kemi gjuhën e njëjtë, traditat e njëjta dhe kemi vetëdijen e përbashkët kulturore e historike. E kam fituar këtë mandat me punë e drejtësi dhe dua ta bëjë shtetin e Kosovës të fuqishëm edhe ekonomikisht edhe administrativisht. Nuk shoh që përforcimi i Kosovës shkon në të kundërtën e Shqipërisë. Por, aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë këtë kundërthënie, sepse pika 1.1 thotë se Kosova është vend i pavarur ndërsa pika 1.3 nuk e lejon atë t’i bashkëngjitet një vendi tjetër”, ka deklaruar ai.
“Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet ti japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia”, deklaroi ndër të tjera Kurti.












