
Në rundin e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 18 gusht, një prej opsioneve për tejkalimin e tensioneve midis dy vendeve ka qenë shtyrja e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa dhe dokumente udhëtimi për një afat prej dy-tre muajsh.
Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike evropiane, sipas të cilave, një shtyrje e tillë do të ishte e nevojshme për t’u dhënë kohë edhe serbëve në Kosovë që të përgatiten, ndërsa ata që nuk kanë dokumente përkatëse të Kosovës, të pajisen me të tilla.
Qeveria e Kosovës, më 1 shtator, pritet të nisë zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe për lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.
Ky vendim, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, është shtyrë për 30 ditë, për shkak të tensioneve që ka shkaktuar në veri të Kosovës, përfshirë ngritjen e barrikadave nga disa serbë lokalë.
Kërkesën që lëshimi i dokumenteve hyrëse nga ana e Kosovës të mos vlejë për serbët e Kosovës, e ka konfirmuar publikisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas burimeve të BE-së, pala kosovare në dialog ka thënë se asnjë shtetas i Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, nuk ka nevojë për dokument shtesë për hyrje/dalje.
Por, mospajtimet ekzistojnë rreth mënyrës se si të dëshmohet që dikush është qytetar i Kosovës, nëse nuk posedon dokument identifikues të lëshuar nga autoritetet në Kosovë. Serbët në veri janë të pajisur kryesisht me dokumente që u lëshon Serbia.
Në anën tjetër, Serbia, me vite, lëshon dokumente të posaçme për shtetasit e Kosovës kur hyjnë në territorin e saj.
Edhe pse pranojnë se opsioni që të dyja palët të heqin dorë nga lëshimi i letrave të posaçme për hyrje/dalje ka pak gjasa të ndodhë, burimet e BE-së e konsiderojnë atë si “të dëshirueshëm”.
Opsion tjetër është që Kosova, në mënyrë të njëanshme, të shtyjë zbatimin e vendimit edhe pas datës 1 shtator.
Burimet në BE thonë se puna në kërkim të zgjidhjes po vazhdon në mënyrë intensive.
Këtë e dëshmojnë edhe takimet që këto ditë po zhvillojnë në Kosovë dhe në Serbi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në rast se takimet e diplomatëve të lartë do të prodhojnë ndonjë rezultat, atëherë përmendet mundësia që javën e ardhshme në Bruksel të ketë një takim të ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, qoftë në nivel të lartë, apo edhe në nivel të kryenegociatorëve.











