
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për nder të ditëlindjes se ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e këtij të fundit.
Në këtë vizitë ai është pritur nga gruaja e ish-presidentit dhe fëmijët e tij.
I pari i LDK-së ka treguar edhe këtë 2 dhjetor Fana Rugova, bashkëshortja e ish-presidentit, kishte përgatitur ëmbëlsirën e saj Tiramisu.
“Për të na pritur sa më ngrohtë, si një zonjë shtëpie e vërtetë, Fana Rugova kishte përgatitur edhe këtë vit ëmbëlsirën e saj Tiramisu. Atë të preferuarën e Presidentit. Atë që e kishin shijuar për herë të parë në Romë. Këtë ëmbëlsirë ajo merr mundin ta bëj çdo 2 dhjetor, në ditën e lindjes së Presidentit Rugova. Këtë ëmbëlsirë e kishte bërë edhe këtë herë. Sot, me Albinën, Erën e Rozin, vizituam familjen Rugova. U pritëm nga zonja Fana, Uka, Mendimi e Teuta. Rikujtuam jetën e shqiptarit më të madh; atit themeltar të Republikës e prijësit historik të lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, i cili lindi 79 vite më parë, më 2 dhjetor të vitit 1944”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka treguar se në këtë vizitë ka qenë i shoqëruar edhe nga klasa e parë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike “Ibrahim Rugova”.
“Këtë herë, vizita jonë ishte edhe më e veçantë, sepse u shoqëruam nga klasa e parë e gjeneratës së parë të Shkollës Politike. Ata nga afër panë vet historinë. Atë që bëri lirinë, shtetësinë e vet demokracinë. Kjo histori na qëndron sot jo vetëm si rikujtim i madhështisë, por edhe si detyrim i rrugëtimit tonë përpara. Presidenti ka vetëm ditëlindje! Prandaj gjithë rugovistëve, urime kjo datë e ditë!”, ka shkruar ai.











