Shkruan: Arian Zeka
Mund të ketë qenë e enjte, 26 nëntor 1992, kur mësuesja Sadije, ajo e shkollës fillore, na caktoi për detyrë të shkruanim një poezi për Ditën e Flamurit. Më shumë nga droja se si do t’ia dilja, ia zura për të madhe këtë kërkesë. Mund ta kenë bërë edhe shokët e shoqet e klasës. “Sikur nuk mjafton ‘Hymni i Flamurit’ i Nolit”, mund të jem ankuar atëbotë. “Sikur bota paska nevojë për një poezi më shumë”, mund të kem shtuar më tej.
Sidoqoftë, babai më mësoi diçka për krijimin e rimave, e deri të hënën krijova një poezi me tri strofa. Nuk doli keq.
Bota, në të vërtetë, nuk pati nevojë për një poezi më shumë për flamurin e shqiptarëve, por ne, që jetonim në kushte të okupimit klasik e në segregacion, po. Duhej ngulitur në zemër e në palcë se ishim shqiptarë, se kishim gjuhën e kulturën tonë, simbolet tona, festat tona e aspiratat tona.
Më lehtë se të shkruanim një poezi ishte kur na kërkohej ta vizatonim flamurin, edhe pse edhe këtu kishte rëndësi teknika e punimit. Po të na kërkohej ta bënim me ngjyra tempera, duhej vrapuar në shtëpi për të parë nëse tubat kishin ngjyrë të mjaftueshme. S’ishte koha më e mirë për t’u shkaktuar prindërve shpenzime shtesë. E zeza nuk harxhohej aq shumë, meqë e përdornim rrallë, ama e kuqja rëndom mungonte, e duhej të improvizonim.
Krejt ndryshe ishte kur na kërkohej ta bënim me ngjyra druri. Vështirësia ishte në vizatimin e shqiponjës, meqë, dorën në zemër, s’është flamuri më i lehtë për t’u vizatuar. Jo si ata trengjyrëshit e rëndomtë! Ishim me fat nëse kishim ndonjë nga ata kalendarët që gazetat e revistat e kohës zakonisht i jepnin si dhuratë në numrat festivë. E vendosnim në xhamin e dritares, e sipër tij, fletën e vizatimit, për ta kopjuar, edhe pse na thuhej që s’ishte ide e mirë.
Por hej, edhe këtu përgjegjësia ishte e madhe! Duhej të dilte bukur. Ishte flamuri ynë.
E kam gati të gjallë pamjen kur mësuesja solli në klasë arsimtarin Vehbi, të Kulturës Muzikore. Na thanë se do të mësonim një këngë të re. Mori pak kohë derisa u shkrua, varg për varg e strofë për strofë, në tabelë. Por bukuria e saj i tejkalonte fjalët e shkruara kur arsimtari po e këndonte për herë të parë, para se ne ta përsërisnim bashkë me të, më vonë.
“Ty flamur të duam shumë,
ti për ne je nënë dhe babë.
Për ty gjakun derdhim lum,
o flamuri i kuq me shkabë”,
fillonte kënga.
Nuk mbaj mend të na kenë treguar se kush e shkroi tekstin e kush e kishte bërë kompozimin. Ndoshta edhe s’kishte shumë rëndësi. Ajo që mbaj në mend është melodia e veçantë, e sa bukur e këndonim, e tërë klasa. Më dukej se ai kabineti i vogël, në të cilin mbanim mësim në kushte jo shumë të përshtatshme, në katin e parë të Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë, buçiste më fuqishëm se Opera Shtetërore e Vjenës.
Në kokë, figurën e arsimtarit Vehbi e krahasoja me mësuesin Luan Sina nga filmi “Lulëkuqet mbi mure”, të interpretuar nga Timo Flloko, teksa recitonte poezinë “Anës lumenjve” të Nolit. E kisha parë më shumë se njëzet herë në videokasetat e kohës, të cilat i shkëmbenim me familjarë e të afërm të tjerë, meqë Televizioni i Prishtinës kishte vite që ishte mbyllur, e programi satelitor i Televizionit Shqiptar do të fillonte tek në vitin 1993.
Pavarësisht aktiviteteve që bënim për Ditën e Flamurit, ajo që kishte rëndësi ishte çfarë ndjenim për të. Për ne në Kosovë, Dita e Flamurit nuk ishte thjesht festë. Ishte përgjegjësi që kërkonte impenjim. S’na lejohej ta përdornim të lirë, e prandaj e ruanim aty ku dora e milicisë okupatore s’e prekte dot.
Ditën e ndjenim në zemër, e natën e ëndërronim!
Më 28 nëntor 1997, Festa do të merrte një dimension krejt tjetër. Flamurin e kishin qendisur në krahët e luftëtarëve tanë të lirisë. Ishte bërë edhe më i bukur.
Nuk e di nëse edhe atyre, si fëmijë, u ishte kërkuar të shkruanin poezi për Flamurin. Di vetëm se kënga e pushka u buçisnin fort.
Kurrë më shumë se më 12 qershor 1999 nuk e kisha kuptuar peshën e poezisë që na u kërkua ta shkruanim në klasën e katërt. Festa të tjera të mëdha lindën ndërkohë, por asnjëra s’e zbehu rëndësinë e Ditës së Flamurit.
Flamuri e solli 12 Qershorin, e poezitë për Ditën e Flamurit mbajtën gjallë ëndrrën për 17 Shkurtin e vitit 2008!













