Heroi i Kosovës, Idriz Rrecaj, i cili u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë në prill 1999, do të rivarroset të premten në Skenderaj, pasi eshtrat e tij u identifikuan së fundmi. Në kujtim të tij, në Skenderaj u mbajt akademi përkujtimore.
Shpëtim Rrecaj, djali i Idriz Rrecajt, është shprehur se më në fund familja e di të vërtetën për babanë që e kishte kërkuar për 27 vjet. Ai ka thënë se gjetja e eshtrave të të zhdukurve dëshmon se e vërteta nuk mund të zhduket kurrë.
“Për 27 vjet familjen tonë e ka përcjellë pyetja ‘ku është babai juaj Idriz Rrecaj?’ Sot më në fund e kemi një përgjigje, babai im po kthehet në tokën e Kosovës së lirë për të cilën jetoi dhe sakrifikoi. Idriz Rrecaj ishte intelektual dhe veprimtar që bashkë me 22 intelektualë të tjerë u mor mizorisht në prill 1999. Gjetja e eshtrave të tyre është dëshmi se e vërteta mund të vonojë por nuk mund të zhduket. Gjaku nuk humb dhe sakrifica për liri nuk harrohet. Unë isha 6 vjeç kur babai u zhduk, u rrita me mungesën e tij, me mallin dhe shpresën për të mësuar të vërtetën, sot pas 27 vjetësh e kemi një vend ku mund të vendosim një lule dhe të përulemi para kujtimit të tij”, u shpreh Rrecaj para të pranishmëve.
Homazhe janë bërë edhe pranë arkivolit të tij.
Rrecaj ishte aktivist dhe një nga themeluesit e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skenderaj. Gjatë luftës ishte angazhuar edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si këshilltar i Jetullah Gecit, komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”.
Në shtator ishte bërë e ditur se analizat e ADN-së kanë konfirmuar se tri nga mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut u përkasin personave nga grupi i njohur si “Grupi i Intelektualëve”, aktivistë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999 dhe që kanë figuruar të zhdukur deri tash.
Ata janë intelektualët Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu.

















