Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, duke shprehur mbështetjen për të dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se ata nuk janë vetëm dhe se do të bëjnë gjithçka që është e mundur për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Kosovë.
“Mbahuni të fortë, se edhe ne nuk do t’ju lëmë vetëm. Do të lëvizim çdo gur që të ktheheni sa më shpejt të gjithë në Kosovë, të lirë e krenarë, larg prangave e padrejtësisë. Në atdheun tuaj, pranë familjeve tuaja e në mesin e popullit tuaj. Këtu e keni vendin dhe dashurinë e secilit prej nesh!”, ka shkruar Çitaku.
Jakup Krasniqi ka qëndruar sot në Kosovë në një vizitë të cilën Gjykata Speciale ia ka lejuar “për arsye humanitare”, pasi bashkëshortja e tij ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Gjatë ditës, Krasniqi ka qëndruar pranë familjes së tij, ndërsa më pas është dërguar në objektet e EULEX-it në Kosovë.













