Ndryshe nga seç pretendoi Shpejtim Bulliqi, dokumentet tregojnë se vëllai i Ekrem Hysenit është invalid i luftës.
Agron Hyseni
Se Agron Hyseni është invalid i luftës e thotë edhe dokumenti, ndryshe nga seç pretendoi Shpejtim Bulliqi, Kryetar i Podujevës, gjatë një debati televiziv me kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjidhjet e 12 tetorit, Ekrem Hysenin, vëllain e Agronit.
Sipas dokumentit që ka siguruar VOX Kosova, Hysenit i është njohur statusi i invalidit civil të luftës, i cili është lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, më 22 prill të vitit 2014, përmes të cilit atij i ishte njohur e drejta për pension të Invalidëve Civil të Luftës.

Vendimi për njohjen e këtij statusi për Hysnin ishte marrë në bazë të nenit 5, paragrafi 1.2.2, si dhe nenit 14 të Ligjit numër 04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve dhe Pjesëtarëve të UÇK-së dhe Familjeve të Viktimave Civile të Luftës.
Çfarë ndodhi?
Më 16 shtator, në një debat televiziv në RTV21 në mes të kandidatëve për kryetarë të Komunës së Podujevës për zgjedhjet e 12 tetorit, ndodhi një përplasje në mes të kandidatit të LDK-së, Ekrem Hysenit, dhe atij të Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, kryetar aktual i kësaj komune.
Në një moment gjatë debatit, Hyseni tha se vëllai i tij Agroni, është invalid, kjo nxiti reagimin e Bulliqit, i cili e kundërshtoi këtë fakt.
“Po çfarë invalidi bre. Ku ka qenë invalid?”, tha Bulliqi.
“Si ka mundësi?”, pyeti Hyseni i habitur.
“Ku invalid, çfarë invalidi?”, vazhdonte Bulliqi pa pikë ndjeshmërie për rastin.
“Ti je i pafytyrë more vëlla”, i tha Hyseni.
“Invalid në Koliq a? Po leje këtë far muhabeti”, vazhdoi me ironi Bulliqi.