Policia e ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).
Sipas Policisë, njësitë hetimore të DHKEK-së, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë siguruar prova dhe informacione që dyshohet se dëshmojnë se tre persona meshkuj kosovarë kanë falsifikuar dokumente të ndryshme zyrtare, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata.
Dyshohet se dokumentet e falsifikuara janë përdorur si dokumente të vërteta, me qëllim që të realizoheshin në mënyrë të kundërligjshme transaksione të shitblerjes së tokave.
Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë tentuar të përfitojnë shumën prej rreth 1 milion e 550 mijë eurosh përmes këtyre veprimeve. Për rastin dyshohet se janë kryer veprat penale “bashkëkryerja”, “ndihma”, “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.
Tre të dyshuarit janë intervistuar më 30 korrik 2026 në prezencën e avokatëve mbrojtës. Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.













