Diçka e pahijshme ka ndodhur sot në njërën nga lokalet e vendit, ku po pinte kafe ministri i Bujqësisë, Faton Peci bashkë me një mik të tij, në një video të publikuar në rrjetin social TikTok, shihet se një vajzë e vogël po qëndronte tek tavolina e Pecit dhe shokut të tij duke kërkuar lëmoshë, por ministri nuk e kthen kokën fare kah vajza, teksa intervenon kamarieri.
Ai posa e sheh vajzën që nuk po largohej dhe ndodhej afër tavolinës së ministrit, e merr atë dhunshëm për ta larguar krejtësisht nga lokali, raporton Gazeta Sinjali.
Reagime të ashpra ka pasur ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, pasi nuk ndërhyu derisa një vajzë e vogël kosovare, lëmoshë kërkuese, po largohej dhunshëm nga një lokal në Prishtinë, e cila po kërkonte lëmosh nga Peci.
Madje edhe kur ajo nxirret dhunshëm nga lokali, ministri Peci vetëm e shikon me indiferencë dhe as nuk tenton ta ndalojë.
Pas publikimit të këtyre pamjeve pati reagime të ashpra në publik.
Fillimisht ishte kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili tha se “duhet pasur ndjenjat e ministrit që të mos reagosh ndaj një situate të tillë”.
“Bravo Ministër Peci… duhet pasur ndjenjat e MINISTRIT për të mos reaguar përballë një situate ku një vajza e vogël që kërkonte lemoshë u hodh me dhunë nga lokali. Mjerë na!” – ka shkruar ai.
Ndërsa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë veprimin e quajti si racizëm.
“Ngjarja e fundit ku shihet qartë mënyra e vrazhdë se si largohet një fëmijë nga radhët e komuniteteve nga lokali pa asnjë arsye është shqetësuese dhe e papranueshme për të gjithë. Unë, angazhohem çdo ditë që të luftohet dhe raportohet racizmi. Sjellje si këto nuk kanë vend në mesin tonë!”, shkroi ai.
Deputeti i komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, Fridon Lala, ka thënë se qëndrimi i ministrit në këtë rast, është i patolerueshëm.
“Sapo e pashë një video të nxjerrë nga disa portale në të cilën shihet një vajzë lëmoshë-kërkuese duke u shoqëruar dhunshëm jashtë një lokali në prani të ministrit Faton Peci. Për një ministër të republikës, qëndrimi prej spektatori në një rast të tillë është flagrant dhe i patolerueshëm”, shkroi ai.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se mosreagimi i Peci ndaj kërkesës për lëmoshë nga vajza dhe heshtja e tij e pashpirtë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamerierit, nuk është e rastësishme.
Tutje ai ka shkruar se Kurti tashmë nuk i sheh më lypsaret dhe as nuk i takon, sepse ai shkon në punë me xhipa të zinj.
“Mosreagimi i minisrit Faton Peci ndaj kërkesës për lëmoshë nga vajza e vogël dhe heshtja e tij e pashpirtë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamarierit, nuk është e rastësishme. Ky është modeli të cilin në këtë vend e ka mbjellur Albin Kurti dhe shpurra e tij ideologjike. Albin Kurti dhe njerëzit e tij për dy dekada e kanë rrënuar dhembshurinë mes njerëzve. Ai e ka dëmtuar shoqërinë tonë. Prandaj, sot ministrit të tij nuk ia thotë zemra t’i përgjigjet zërit të një fëmiu dhe aq më pak të reagojë ndaj sjelljes së patolerueshme të kamerierit. Albin Kurti nuk i sheh më lypsarët dhe as nuk i takon, sepse ai shkon në punë me xhipa të zinj. Albin Kurti është shkëputur tërësisht nga realiteti”, ka thënë Gjoshi.
Kurse, kryetar i PDAK-së, Qazim Rrahmani, ka thënë se kjo video tregon racizmin, diskriminimin dhe injorancën e pushtetarëve tonë.
Rrahmani u kërkon deputetëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që janë pjesë e Qeverisë Kurti që të kërkojnë dorëheqjen e ministrit Peci.
“Kjo video tregon racizmin, diskriminimin dhe injorancën e pushtetarëve tonë shtetit . Në sy të një Ministri shtetit të veprohet me një vogëlushe kështu kjo është turpi i dynjasë. O Ministër nëse nuk ke pasur vullnet me i ndihmu kësaj vogëlushe sëpaku ke mundur me thanë kamerierit sillu pak ma qetë, kërkoj nga deputetët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjipjan që janë pjesë e Qeverisë Kurti kërkoni dorëheqjen e këtij Ministri racistë e injorantë. Zoti të marroftë o ministër Peci. A ki fëmijë more burrë a ki shpirt e zemër. O mjerë në çfarë deputet të komuniteteve kemi, se ky për këtë sjellje kishte shkuar shpi”, shkruan ai.













