66 prona (parcela) në zemër të Mitrovicës dyshohet se janë grabitur, jo me forcë, por me dokumente të falsifikuara. Krejt ky krim, dyshohet se ka ndodhur në periudhën 2020-2022. Veriu.info ka siguruar një pjesë të kallëzimit penal që Policia e Kosovës ka bërë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj personave që dyshohet se mundësuan këtë krim, duke shit-blerë 66 prona me sipërfaqe 1.1 hektar pa dijeni dhe pëlqim të pronarëve të vërtetë të pronave.
Policia kallëzimin penal në Prokurori e ka bërë 4 prill 2023, ku si të dyshuar ka persona zyrtar, avokat, ndërmjetësues, biznesmenë dhe qytetarë të nacionaliteteve shqiptarë, romë, ashkali dhe serbë.

Këta persona dyshohet se përmes: dokumenteve të falsifikuara të gjendjes civile të lëshuara nga strukturat ilegale serbe, certifikatave të pronave e kopjeve të planit të lëshuara nga strukturat ilegale serbe, pasaportave franceze e gjermane të falsifikuara, autorizimeve nga shtetet të BE-së të falsifikuara (kryesisht franceze), akte noteriale nga shtetet e BE-së të falsifikuara (kryesisht franceze), duke e përdorur edhe procedurën e ndërmjetësimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë kanë arritur të tjetërsojnë këto prona.
Pra, pronat e qytetarëve romë dhe ashkali janë shitur pa dijenin e pronarëve legjitimë.

Po si është organizuar kjo skemë, që në thelb ka krejt elementet e grupit të strukturuar kriminal?
Pronarët e këtyre pronave, ashkali e romë, për shkak të rrethanave të ndryshme nuk jetojnë në Kosovë. Në emër të pronarëve të pronave janë bërë autorizime përmes akteve noteriale në Francë e Gjermani, kinse pronari ka autorizuar një person të caktuar për shitjen e pronës në Mitrovicë.
Në fakt ky i ‘autorizuari’ nuk ka pasur asnjë autorizim e as që ka kontaktuar pronarët e tokave. Ai vet në secilin rast i ka falsifikuar dokumentet ‘autorizuese’, me të cilat ka ardhur në Mitrovicë dhe ka gjetur blerës të këtyre tokave me çmime të lira. Pastaj është përdorur procedura e ndërmjetësimit, e realizuar përmes ndërmjetësueve të licencuar dhe avokatëve.
Avokatët pas kryerjes së ndërmjetësimit, kanë bërë padi në gjykatë për vërtetim të pronësisë, ku me pas gjykata ka bërë tjetërsimin e pronave përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara.
Veriu.info mëson se secila prej lëndëve të këtyre pronave që u tjetërsuan me dokumente të falsifikuara, është trajtuar nga gjyqtarët serb, të cilët asokohe akoma ishin të integruar në sistem gjyqësor.
Po si ishte e mundur që gjitha këto lëndë të trajtoheshin nga gjyqatarët serb? Burime të Veriu.info nga Gjykata Themelore në Mitrovicë bëjnë të ditur, se avokatët me rastin e ushtrimit të padive për vërtetim pronësie, ka bërë disa herë padi për të njëjtën lëndë, derisa e njëjta i ka rënë për trajtim një gjyqtari serb, ku më pas paditë që u kanë rënë gjyqtarëve shqiptar për trajtim janë tërhequr.
Si u zbulua skema mashtruese e tjetërsimit të pronave me falsifikim?
Sipas kallëzimit penal të siguruar nga Veriu.info, më 5 korrik 2022 në stacionin policor të Mitrovicës së jugut ishte paraqitur Sait Sahiti, rom me banim në Gjermani, duke pretenduar se pa dijenin e tij dhe anëtarëve të familjes së tij, i është shitur pronar në lagjjen Adem Voca e cila ishte në emër të babait të tij, që kishte vdekur disa vite më parë.
Më pas policia ka kontaktuar zyrtarin e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Mitrovicën e jugut, Nuhi Mehmeti, ku është konfirmuar se kjo pronë është bartur në emër të personit Naim Hasanaj.

Kush janë personat ndaj të cilëve Policia ka bërë kallëzim penal?
Veriu.info mëson se personave ndaj të cilëve Policia ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Mitrovicë në vitin 2023 janë:
Besart Kadriu – Avokat
Uvejs Gashi – ndërmjetësues i licencuar
Egzon Jashari – ndërmjetësues i licencuar
Kasim Beqiri – pronar i kompanisë ndërtimore Florenti Company dhe rrjetit të marketeve Florenti
Arsim Sadiku – biznesmen dhe menaxher në marketin “Genci”
Sofije Veseli – mësimdhënëse (gruaja e ish noterit Xhevat Veseli)
Fadil Rushiti – zyrtar i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës
Fehmi Doroci – gjeodet i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës
Nuhi Mehmeti – gjeodet (i pensionuar) i Drejtorisë për Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës
Ruzhdi Ujkani – gjeodet i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës
Idriz Beqiri – gjeodet i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës
Naser Dibrani – qytetar rom
Esma Bislimi – qytetare rome
Beqir Osmani – qytetar rom
Safet Sahiti – qytetar ashkali, i dyshuar edhe për një rast tjetër të falsifikimit
Bekim Asllani – qytetar shqiptar
Januz Ibrahimi – qytetar rom
Shukrije Osmani – qytetare rome
Disho Dushiq – qytetar serb nga Mitrovica e veriut
Emran Kurteshi – serb i Smederevës të Serbisë
Valija Dibrani – mitrovicase me banim në Francë
Muhedin Dibrani – qytetar i Mitrovicës
Ahmet Dibrani – rom i Mitrovicës me banim në Francë.


Pse prokuroria po flen?
Kur janë bërë më shumë se 3 vite, prokurori i lëndës po flen! Ai as nuk ka ngritur aktakuza për të pandehurit e as nuk e ka hedhur poshtë kallëzimin penal.
Burime të sigurta të Veriu.info, bëjnë të ditur se prokurori i këtij rasti Sahit Tmava, qëllimisht po e zvarrit lëndën, duke dashur që të njëjtës mos t’i jep kahje deri në pensionimin e tij, pasi që i njëjti më 7 shkurt mbush 65 vjeç dhe pensionohet.
Duke qenë një ‘patate e nxehtë’ në duart e tij, për shkak të interesave të mëdha financiare dhe pushtetit që kanë disa nga të pandehurit, mësohet se prokurori Sahit Tmava po e zvarrit lëndën deri në pensionim, e pastaj zyrtarisht i kalohet për trajtim një prokurori tjetër.
Çka thotë Prokuroria Themelore në Mitrovicë?
Veriu.info ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për rastin e këtij kallëzimi penal të bërë nga policia në vitin 2023, e cila ka konfirmuar se është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalues dhe urdhër ndalues përfundimtar për pronat e kontestuara.
“Janë filluar hetimet kundër të pandehurit A.D., ndërsa është lëshuar autorizim nga prokuroria për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për të pandehurit tjerë, për të parë se a ka autorizime për shit-blerjen e pasurive, të verifikohet shit-blerja apo bartja e pronës a është bërë me pëlqimin e pronarëve, si dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera të nevojshme për ndriçimin e kësaj çështje penale”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Veriu.info.
Mirëpo, Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka kthyer përgjigje në emailin e dytë, ku i jemi drejtuar me pyetjen se a po zvarritet rasti nga prokurori i lëndës, Sahit Tmava, më qëllim që ai të mos ngrit aktakuza eventuale apo hedhje poshtë të kallëzimit penal, duke qenë se i njëjti pensionohet për pak muaj.
Çka thotë Komuna e Mitrovicës?
Veriu.info ka kontaktuar edhe Komunën e Mitrovicës për të marrë një qëndrim rreth kallëzimeve penale të ngritura nga policia ndaj pesë (5) zyrtarëve të saj, të cilët kanë thënë se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga prokuroria apo gjykata për këtë rast.
“Nuk kemi pranuar ndonjë njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës, Prokuroria apo Gjykata kompetente se ndaj zyrtarëve të përmendur në kërkesën tuaj është duke u zhvilluar procedurë penale dhe nuk kemi pranuar asnjë kërkesë nga njësia përkatëse për inicim të procedurës disiplinore ndaj nëpunësve në fjalë lidhur me rastin të cilit i referoheni. Për shkak të mungesës së një njoftimi zyrtar nga njësitë përkatëse ose nga organet kompetente të drejtësisë lidhur me zhvillimin e procedurës penale ndaj zyrtarëve të përmendur, ne nuk kemi pasur bazë ligjore për ndërmarrjen e masave administrative apo disiplinore në raport me rastin e përshkruar në kërkesën tuaj”, thuhet mes të tjerave në përgjigjen e komunës.
Në pyetjen se a është vendosur masë e përkohshme për këto prona me kërkesë të prokurorisë, Komuna e Mitrovicës ka konfirmuar se ka urdhër ndalues për 64 prona nga data 22.12.2023.
“Në bazë të informacioneve që posedon DGJKP-ja ju informojmë se në fund të vitit 2023 është i regjistruar urdhri për ndalim të përkohshëm PP.I.nr.11/23/23 dt. 22.12.2023 nga Departamenti për Krime të Rënda- Prokuroria Themelore në Mitrovicë për afër 64 parcela kadastrale në ZK Mitrovicë, e në të cilat ende është e regjistruar ndalesa në fjalë”
Pra, që tri (3) vite pronarët e vërtetë nuk po munden t’i shfrytëzojnë pronat e tyre, ngase për to është vendosur masë ndaluese dhe prokuroria nuk po i jep epilog kallëzimit penal të bërë nga policia./Gazmend Morina – Veriu.info/













