
Kryetari i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë për RTS-në, me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, se situata e sigurisë në Kosovë ka arritur kufirin maksimal, përtej të cilit ndodh konflikti, përcjell GazetaBlic.
Ai po ashtu ka thënë se “Prishtina po e minon dialogun me mbështetjen e vendeve të Quintit, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti njëkohësisht po përpiqet të vendosë kontroll të plotë dhe absolut mbi veriun e Kosovës”.
Drecun tha se procesi i minimit të dialogut nga Prishtina me mbështetjen e vendeve të Quintit, refuzimi i plotë i draft Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe nga Ekipi Menaxhues dhe futja e “vetëqeverisjes për serbët” e Kurtit është një lojë, thelbi i së cilës në fakt është “të sigurohet njohja e shtetit të Kosovës nga Beogradi”.
Në të njëjtën kohë, shton ai, Kurti po përpiqet të vendosë kontroll të plotë dhe absolut mbi veriun e Kosovës në dy drejtime – njëri është ai administrativ, duke pushtuar katër komuna në veri pas, siç tha ai, “zgjedhjeve farsë të cilat u zhvilluan aty”.
Ai paralajmëron se është e rrezikshme që në Prishtinë të lënë të kuptohet se do ta përfundojnë procedurën e hapjes së urës në Ibër dhe se po fillojnë të heqin targat nga veturat e njerëzve që nuk janë riregjistruar dhe të mbledhin gjoba.
“Është veçanërisht e rrezikshme që ata po përgatisin pjesën e dytë të zbatimit të planit të tyre, me mbështetjen e Quintit, që është pushtimi i vërtetë policor dhe ushtarak i veriut të Kosovës. Ata tashmë kanë vendosur pjesëtarë të njësive speciale parapolicore në veri të Kosovës dhe kanë miratuar të ashtuquajturin dekret të qeverisë për shpronësimin e tokës serbe në komunat ku synojnë të ndërtojnë baza të reja”, tha Drecun.
Drecun vlerëson se situata e sigurisë ka arritur kufirin maksimal, përtej të cilit ndodh konflikti.
“Populli serb duhet të reagojë ndaj kërcënimeve ndaj të drejtave themelore të njeriut, por edhe ndaj mbijetesës në veri të Kosovës”, ka përfunduar Drecun.












