Drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj ka mbajtur takim me pedagogët dhe psikologët e shkollave në Vushtrri, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Kjo ka ardhur pas ngjarjeve tragjike në qytetin e Vushtrrisë, ku mbetën të vrarë 3 persona.
“Gjatë diskutimeve, theksuam nevojën e shtimit të ligjëratave mbi tolerancën, diversitetin, empatinë, dhunën dhe pasojat e saj. Këto tema janë jetike për edukimin e brezave të rinj dhe për ndërtimin e një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të sigurt.” – shkruan Tahiraj.
Postimi i plotë:
Takimi me pedagoget dhe psikologet e shkollave të Vushtrrisë
Sot, si Drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, kam ftuar dhe drejtuar një takim të rëndësishëm me pedagoget dhe psikologet e shkollave tona.
Ky takim erdhi si domosdoshmëri pas ngjarjeve të fundit tragjike në qytetin tonë, duke na shtyrë të reflektojmë dhe të veprojmë me përkushtim për të parandaluar fenomene të tilla në të ardhmen.
Gjatë diskutimeve, theksuam nevojën e shtimit të ligjëratave mbi tolerancën, diversitetin, empatinë, dhunën dhe pasojat e saj. Këto tema janë jetike për edukimin e brezave të rinj dhe për ndërtimin e një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të sigurt.
Nga ky takim dolëm me disa rekomandime konkrete për të gjitha hallkat e shoqërisë sonë nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, institucionet dhe policinë.
Vetëm me bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët mund të krijojmë një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët tanë.













