Njësitet speciale të policisë kontrolluan lavanderinë dhe bojlerin e Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe nuk gjetën asgjë nga ajo që po kërkonin. Megjithatë, nga spitali është marrë një aparat për vëzhgim me video, ka bërë të ditur në konferencën e sotme për media, drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë, Zlatan Elek, shkruan Kossev, përcjellë Gazeta Online Veriu.info.
Operacioni policor, i nisur në lidhje me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë, filloi mëngjesin e sotëm rreth orës 06:00, me kontrollin apo bastisjen e pesë lokacioneve në tri komuna në veri të Kosovës – në Zveçan, Mitrovicë të Kosovës dhe Zubin Potok.
Sa i përket Mitrovicës, kontrollet janë bërë brenda objektit të restorantit Grey, nga ku, siç e kemi verifikuar në vend, pjesëtarët e policisë vazhdimisht kanë nxjerrë qese letre me përmbajtje ende të panjohur. Gjithashtu, policia ka hequr disa automjete nga garazhi nëntokësor i godinës, si dhe një ATV.
Lokacioni i dytë në Mitrovicë ishte Spitali i Mitrovicës Veriore, gjegjësisht dhoma e kaldajave dhe lavanderia e spitalit. Operacioni atje zgjati pak më shumë se një orë, por brenda këtyre dy dhomave nuk u gjet asgjë, konfirmoi Zlatan Elek.
Në konferencën për shtyp që thirri menjëherë pas largimit të njësive speciale nga ambientet e spitalit, ai shpjegoi ngjarjet e mëngjesit.
Ai thotë se me të mbërritur në punë, pasi EULEX-i ishte me polici, fillimisht kanë kërkuar informacion nga pjesëtarët e këtij misioni ndërkombëtar, të cilët megjithatë i kanë referuar në Njësitë Speciale për detaje të aksionit.












