Në qershor të vitit 2015, ishte hapur një konkurs për asistent në një grup lëndësh të lëmin penal. Por, ai ishte anuluar disa muaj më pas.
E disa vite pas këtij konkursi, nje konkurrent që beson se është dëmtuar nga disa persona, ka dorëzuar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
“Jepi zë” ka marrë vesh nga burime brenda Prokurorisë, se Kallëzimi Penal është dorëzuar në Prokurori më 22 prill të këtij viti.
Në atë Kallëzim Penal, një i dëmtuar akuzon se rektori i UIMB, Alush Musaj, ish-ushtruesi i detyrës së dekanit, Bashkim Preteni, dhe dy zyrtarë të tjerë kanë kryer disa vepra penale.
Sipas Kallëzimin Penal, i dëmtuari thotë se ekzistojnë dyshime të bazuara që në “bashkëkryerje”, katër personat kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor”.
Siç mësohet, pala e dëmtuar akuzon Musajn e Pretenin dhe dy zyrtarë të tjerë, se i fshehën disa dokumente nga dosja që ai kishte dorëzuar kur kishte aplikuar në konkurs.
Gazeta ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për ta marrë një konfirmim zyrtar, por deri tash nuk ka marrë ndonjë përgjigje.











