
Sot, në orët e mëngjesit, policia e rajonit të Mitrovicës Jugore ka arrestuar një person për zjarrvënie.
Veriu.info mëson se zjarrvënia ka ndodhur në një lokal të muzikës ‘live’, i cili punon kryesisht në orët e vona të natës.
Siç mëson Veriu.info, personi i arrestuar dyshohet se i ka vënë zjarrit derës së këtij lokali në Shupkovc të Mitrovicës.
Rasti e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Hetuesit e Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta kanë identifikuar dhe kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën penale zjarrvënie të raportuar në orët e mëngjesit të sotëm.
Arrestimi i të dyshuarit M. H., 26 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës, është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara për kryerje të veprës penale ‘zjarrvënie” që është raportuar sot në ora 05:25, e ndodhur në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Jugut, ku si pasoj e zjarrvënies është dëmtuar dera një lokali (kafiteri).
Mbështetur në hetimet fillestare, si shkas i rastit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme ndërmjet të dyshuarit dhe pronarit të lokalit. Ndërsa, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, deklaroi Zahiti,/Veriu.info/












