Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kritikuar kryeministrin Kurti për mos-transparencë sa i përket çështjes së Asociacionit dhe planit franko-gjerman.
Shoshi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, opozita e ka pothuajse të pamundër të marrë informacione nga Kurti në lidhje me Asociacionin, sepse siç thotë kryeministri nuk qëndron në Kuvend.
“Kemi mungesë të informacionit nga kryeministri, nuk ka qëndruar në Kuvend. Kurti ka ik, dhe ne e kemi pas të pamundër të shprehim ankesat që kemi si opozitë apo për të marrë informata më shumë rreth çështjes së Asociacionit”, tha Musliu-Shoshi.
Shoshi e sheh problematike edhe çështjen e Kishës Ortodokse, ku sipas saj duhet të gjithë të informohen se për çfarë është duke u negociuar.
“Në propozimin franko-gjerman, një ndër pikat është edhe Kisha Ortodokse që sipas mendimit tim është problematike sepse asnjëherë më parë nuk është diskutuar kjo, tani e kemi status të veçantë dhe është nevoja që të kemi informacione se për çfarë po negociohet”, tha ajo.
Shoshi thotë se opozita është në terr informativ, teksa shton se në takimin e 27 shkurtit mes Kurtit dhe Vuçiqit do të flitet për zbatimin e këtij plani, ku nuk do të përjashtohet edhe diskutimi rreth formimit të Asociacionit.
“Kemi mungesë të informacionit për Asociacionin dhe planin franko-gjerman. Në takimin Kurti-Vuçiq janë disa pika që patjetër do të diskutohen sepse nëse e ke marrë planin franko-gjerman dhe ke një takim menjëherë pas pranimit, atëherë do të flitet për zbatimin e këtij plani. Edhe pse jemi në terr informativ, në këtë takim do të flitet për planin e zbatimit franko-gjerman”, tha Musliu-Shoshi.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi në një prononcim për GazetaBlic thotë se është e paqartë epilogu, ngaqë sipas saj ky proces është përcjellur me mungesë transparence.
“Është e qartë se tanimë ka një dinamikë të re të bisedimeve përmes të cilave synohet përmbyllja e tyre me një marrëveshje mes dy vendeve. Por është ende e paqartë se cili do të jetë epilogu, ngaqë ky proces është përcjellur me mungesë transparence”, thotë Krasniqi.Sipas Krasniqit, çështja e Asociacionit është në dorë të kryeministrit Kurti dhe sipas saj nuk është habi asnjë vendim që merret.
Krasniqi shton se Qeveria Kurti nuk ka realizuar asgjë qfarë ka thënë, por ka vepruar ndryshe nga premtimet që e ndihmuan të siguroi pushtetin.
“Tani çështja e Asosacionit është në dorë të Kryeministri Kurti se si duhet të vendos, por do të ishte dëm për Kosovën nëse nuk bëhet sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Për ne nuk është habi çfarëdo veprimi që të ndërmerr kjo qeveri sepse tash e dy vjet në qeveri ka dëshmuar konsistencë në ndërrimin e qëndrimeve. Asgjë çfarë ka thënë nuk e ka realizuar, për kundrazi ka vepruar ndryshe nga parimet përmes të cilave ka arritur ta siguroi pushtetin”, tha Krasniqi.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili thotë se kjo parti e mbështet çfarëdo plani që zgjidh problemet mes Kosovës dhe Serbisë.
Xhemaili në një prononcim për GazetaBlic thotë se, AAK-ja nuk mbështet marrëveshje që cenon rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës apo asociacion që ka kompetenca ekzekutive.
Xhemaili shton se në garancia e vetme që i duhet çfarëdo marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë është nënshkrimi amerikan.
“Ne mbështesim cfarëdo plani që zgjidh çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe i jep mundësi arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke. Jo marrëveshje që cenon rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës apo asociacion që ka kompetenca ekzekutive. Do të ishte mirë që në çfarëdo marrëveshje eventuale të jetë edhe nënshkrimi amerikan. Kjo është garancia që i duhet marrëveshjes”, tha Xhemaili












