aton Peci ka paralajmëruar se nuk do ta mbrojë më Donika Gërvallën në betejën e tij gjyqësore me Behgjet Pacollin. Pas vendimit të Gjykatës Themelore, e cila e detyroi ta kompensojë Pacollin për shpifje dhe fyerje, kryetari i Mitrovicës ka paralajmëruar se në Gjykatën e Apelit do ta zbulojë emrin e Gërvallës si burim të pretendimeve të tij.
Deklarata e Pecit, e dhënë të martën në emisionin “Context”, ka sjellë një zhvillim të ri në përplasjen e tij me Behgjet Pacollin, duke e futur në këtë histori edhe ministren e drejtësisë Donika Gërvallën.
Peci ka treguar se deri më tani kishte zgjedhur ta mbronte Gërvallën, duke mos ia zbuluar emrin para Gjykatës Themelore. Por, duket se pas vendimit gjyqësor, kjo qasje ka ndryshuar.
Sipas tij, ishte pikërisht Gërvalla ajo që i kishte thënë se emri i Behgjet Pacollit figuronte në një dosje gjermane lidhur me hetimet për vrasjen e Jusuf Gërvallës.
“Donika Jusuf Gëralla më ka thanë se emir i Behxhet Pacollit figuron në dosjen gjermane, në proces hetimi për vrasjen e Jusuf Gërvallës”, ka deklaruar Peci.
Por, pjesa më interesante e deklaratës së tij lidhet me atë që ka paralajmëruar të bëjë në shkallën e dytë të gjyqësorit.
“E tash kur shkojna në apel, une kom me dal me kallxu. Se nuk kom dashtë në fazën e parë me e involvu Donikën, me kallxu ku është burimi jem kryesor”, ka thënë ai.
Madje, Peci ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë, duke lënë të kuptohet se mbrojtja që pretendon se ia kishte bërë Gërvallës nuk do të vazhdojë njësoj.
“Unë e kom mbrojt Doniken, por u hi Behxheti, tash e shohim në apel. Ajo me ka thanë se në dosje figuron emri i Behxhet Pacollit”, ka deklaruar ai.
Kështu, Peci po paralajmëron se në përpjekjen për ta kundërshtuar vendimin gjyqësor, nuk do ta mbajë më jashtë procesit emrin e bashkëpunëtores së tij politike.
Ndërkohë vet Donika Gërvalla nuk ka reaguar deri më tani për këtë situatë
Çështja nisi në nëntor të vitit 2024, kur Peci, në një përplasje publike me Pacollin, përmendi pretendimet për dosjen e vrasjes së Jusuf Gërvallës.
Pacolli iu drejtua gjykatës, duke i kundërshtuar deklaratat e Pecit si shpifje dhe fyerje.
Më 30 shtator 2026, Pacolli njoftoi se Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar padinë e tij, duke e detyruar Pecin ta kompensonte për dëmin jomaterial.
“Kritika është pjesë e jetës publike dhe duhet pranuar. Por shpifja dhe fyerja janë diçka tjetër”, kishte deklaruar Pacolli pas vendimit.
Tashmë, me paralajmërimin e Pecit, vëmendja është zhvendosur te ministrja e drejtësisë, në Qeverinë Kurti 4, Donika Gërvalla. Nëse pretendimet e tij janë të sakta dhe nëse ajo do t’i konfirmojë, mbetet të kuptohet, ndoshta në shkallën e dytë të gjyqsorit ashtu siç paralajmëroi i dënuari për shpifje, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci.

















