Kryeministri Albin Kurti, ditët e tij në Amerikë, i kaloi në “Luginën e Silikonit”, aty ku kanë çerdhet e tyre multimiliarderët, pasuria e të cilëve e shqetësonte Kryeministrin një vit më parë. Ai qëndroi edhe te kompania “Microsoft” këto ditë. Themeluesin dhe pronarin e saj, Bill Gatesin, Kurti e përmendte kur përshkruante pabarazinë mbi të cilët po zhvillohet ekonomia.
Një vit më parë, në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, Kryeministri Kurti kishte shprehur botëkuptimet dhe shqetësimet e tij në lidhje me zhvillimin ekonomik në botë. Sipas tij, të pasurit po vazhdojnë të pasurohen, e të varfërit po mbesin anash.
Këtu, Kurti kishte përmendur me emra katër njerëzit më të pasur në botë; Jeff Bezos që është themelues i “Amazon”-it, Elon Musk si themelues i “Tesla”-s, Mark Zuckerberg si themelues i “Facebook”-ut dhe Bill Gates si themelues i “Microsoft”-it. Kompaninë “Microsoft”, pronarin e së cilës e përmendi kur po fliste për pabarazinë, Kurti e vizitoi gjatë këtyre ditëve në Kaliforni.
“Nga një vështrim më i gjerë, sfidat që përballet vendi ynë janë të ndërlidhura me sfidat në vende të ndryshme të botës. S’ka dyshim që papunësia e lartë te ne është si rezultat i dështimeve në udhëheqjen në këto dy dekada, por, ne jemi pjesë e globit dhe është fakt se pjesërisht papunësia është e lidhur me pabarazinë ekonomike në mbarë globin”, niste Kurti fjalën e tij.
“Zhvillimi dhe fitimi janë të koncentruara në një pjesë të botës dhe atë në maje të atyre shoqërive. Disa multimiliarderë të botës sot kanë më shumë pasuri se sa gjysma e botës. Mendoj se pa e kuptuar dhe adresuar këtë zhvillim shoqëror e kemi të vështirë të arrijmë një nivel të zhvillimit të qëndrueshëm. Unë bëj pjesë në mesin e atyre që besojnë se pabarazia socio-ekonomike dhe ndryshimet klimatike mbesin dy çështjet kryesore që rrezikojnë botën, por këto të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Kemi një hendek të lartë në të ardhura në mundësi dhe në edukim mes shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ky hendek ekziston sot brenda shoqërisë tonë, pastaj brenda rajonit e kontinentit ku sa vjen e thellohet. Për të ecur drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duhet që bota të jetë në një nivel më të barabartë të mundësive dhe sot jemi ende larg atij niveli të duhur. Jemi larg, sepse modeli jonë i zhvillimit është i tillë, që sa më shumë që investojmë, aq më shumë po pasurohen ata në maje. Vitin që lamë pas, vetëm katër njerëz: Bezos, Musk, Gates dhe Zuckerberg fituan 229 miliardë dollarë brenda vitit. Pra, modeli i ekonomisë së Trickle Doënit, njerëzit e pasur po i bënë edhe më të pasur, kurse të varfrit po mbesin anash. Teksa pritej e pritej, Trickle Doën, gjithnjë e më shumë ajo që kemi parë ka qenë Trickle-Up edhe që besa, jo Trickle-up, por “Pour-up” a “Stream-up” a “Flood-up”. Pra, jo pikë më poshtë teposhtë, por me vrushkuj të tërë përpjetë”, kishte deklaruar Kurti më 31 maj të vitit 2021.
Ndërsa këto ditë, ai ka thënë se Microsoft dëshmon se inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, porse burojnë nga njëra-tjetra.
“Takimin tonë të fundit në kuadër të promovimit të sektorit të TI-së në Kosovë e zhvilluam te kampusi i kompanisë legjendare, Microsoft, në Silicon Valley. Ky kampus mbresëlënës është inspirim për bashkëpunim ndërnjerëzor dhe dëshmon se inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, porse burojnë nga njëra-tjetra. Sikurse në takime të tjera, edhe zyrtarët e Microsoft i kam informuar për kushtet e favorshme në Kosovë për investime në sektorin e TI-së, sidomos për shkak të potencialit gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me këtë sektor”, ka shkruar Kurti të mërkurën në profilin e tij në Facebook.
Më poshtë gjeni videon e publikuar nga portali Demokracia.com, i shkëputur nga fjalimi i Kurtit një vit më parë.












