Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj nuk i ka përjashtuar grevat.
Në Ditën e Mësuesit, ai ka theksuar se gjendja nuk është e mirë.
”Ne e kemi pas një takim në fund të nëntorit me ministrin Sveçla dhe ministren Nagavci, të cilët kanë kërkuar një afat deri në maj, sepse komisioni për ngritjen e pagave është duke punuar. Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për dialog, por nëse dialogu mungon dhe nëse qeveria tenton ta bëjë ligjin ashtu siç dëshiron vet pa biseduar si partnerë të barabartë me SBASHK-un dhe sindikatat tjera, atëherë kam frikë se më 2 prill kur është kongresi i SBASHK-ut, të vendoset për grevë”, tha ai.
Në këtë kongres, sipas tij, do të jenë pjesë delegatët përfaqësues të të gjithë sistemit arsimor: që nga çerdhet e deri në Universitete, ku ka edhe delegat të kulturës pasi që janë pjesë e SBASHK-ut.
”Kam frikë se kongresi mund të sjellë vendim për veprime sindikale duke mos përjashtuar as grevat, prandaj i bëjë apel Qeverisë Kurti që të ulet, të bisedoj me sindikatat në mënyrë të barabartë dhe të arrijë një marrrëveshje, e në veçanti të arrijë një marrëveshje dhe të pajtohet për ligjin e pagave, në rast se kjo nuk ndodh do të kemi greva në arsim”, thotë ai.
Jasharaj ma folur edhe për gjendjen në arsimin kosovar.
“Edhe në këtë 7 mars, arsimi në Kosovë po përciet me sfida të shumta”, tha ai.
Sipas tij, institucionet pos deklaratave se arsimi do të jetē prioritet, nuk kanë bërë diçka konkrete.
“Institucionet nuk i kanë krijuar kushtet e punës. Shkollat tona nuk janë ato që do të krijojnë mundësi për arritje. Mësimdhënësit ende punojnë në shkolla tona në mungesë të mjeteve të teknologjisë bashkëkohore, ende punojnë me shkumsa dhe shpuza, pra, kjo pamundëson arritjet më të mëdha. Ky 7 mars i gjeti puntorët e arsimit pa iu realizuar kërkesat e tyre edhe përkundër angazhimit të tyre mjaft të madh”, thotë ai.
Ai ka ripërsëritur kërkesën që deri në ligjin e ri të pagave, mësimdhënsve t’u ndihmohet me nga 100 euro në muaj.












