
Editorial nga Veriu.info
Nuk ka politikan që i ka rezistuar ndryshimit nga “opiumi” i quajtur pushtet, së paku kështu e thotë historia politike në Kosovë, dhe në pothuajse të gjitha vendet e botës.
Tundimi që pushteti jep tek secili njeri, sidomos ai politik, prek pothuajse çdo njeri që merr “guximin” t’i hyj këtij rrugëtimi.
Madje janë të shpeshta rastet kur politikanët jo vetëm që ndryshojnë, nga opozita në pushtet, por bëjnë kapërcime aq të mëdha sa që në një reflektim kohor nuk do ta njihnin as veten.
Kapërcim i madh duket në lexim të parë si fjalë e madhe për ta përshkruar metamorfozën politike, por kur e konkretizon kalimin nga pasuli me hoxhën tek “Parada e Krenarisë” nga LGBT, duket se kjo fjalë është tepër e varfër për ta pasqyruar realisht këtë.
Historia politike na jep shembuj pa fund të këtyre metamorfozash politike, e sidomos të politikanëve që gjerësisht portretizohen si populist.
Besoj të gjithve iu kujtohet fotografia e famshme e kryeministrit aktual, Albin Kurti, gjatë kohës si opozitar kur po synonte pushtetin me çdo kusht, me hoxhën nga Drenasi, mulla Osman Musliu. Por ky takim qershinë mbi tortë e kishte drekën me pasul, ushqimi tradicional i shqiptarëve. Mesazhi dukej të ishte më se i qartë, targetimi i elektoratit musliman, pra të atyre të lidhur më shumë me fenë islame.
Të buzëqeshur e me pasulin përpara, Kurti dukej të thoshte se unë jam sikur ju, tradicional e për fetar dyshojmë, sepse politikanët nuk kanë etikë për t’u shfaqur si e kundërta e tyre për pak vota.
Ky ishte si duket edhe mesazh për një kategori të gjerë të njerëzve, që fenë e kanë pararojën e tyre jetësore, gjë që i nxiti ata t’i afrohen edhe më shumë Kurtit sa më shumë që ai po i afrohej pushtetit.
Lista e Lëvizjes Vetëvendosje në garën politike të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, ishte aq e larmishma nga profile të ndryshme me idenë që 50% + duhej të arrihej më çdo kusht.
E aty nuk mund të mungonin edhe islamistët, të cilët ishin të shumtë edhe në numër edhe në fuqi. Shumë nga ata u bën edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës, ku vazhdojnë të përpëliten në kënetën politike të përbërë nga ideologjia majtiste e Kurtit dhe ideologjia islamike mbi të cilën edhe i fituan votat.
Pikërisht këta deputetë filluan t’ia krijojnë problemet e para Kurtit si kryeministër, duke mos ia votuar Kodin Civil, që prek direkt bindjet e tyre fetare.
E Kurti sot duket se u dha goditjen “fatale” duke marrë pjesë në Paradën e Krenarisë të LGBT.
Kryeministri shfaqet i buzëqeshur pranë flamurit LGBT, duke harruar pasulin me hoxhën Musliu.
Pra, cilit Kurt t’i besojmë, atij të pasulit me hoxhën apo këtij të Paradës së Krenarisë?
Cili është Kurti i vërtetë, sepse i njëjti njeri nuk mund të jetë në këto dy ngjarje, duke e ditur sa diametralisht të kundërta janë?
Ne nuk po paragjykojmë e as vlerësojmë se në cilin rast ka të drejt, thjesht po prezantojmë një kryeministër me njërën fytyrë të vërtetë e njërën me maskë.
Kujtojmë që Kurti merr pjesë për herë të parë në këtë paradë, pasi viteve të kaluara si duket nuk pati guximin t’u dalë përballë grupit islamist brenda partisë së tij.
Vlerësojeni vet këtë kapërcim të madh të kryeministrit Kurti, nga hoxha me pasul tek Parada e Krenarisë.
I njëjti nuk mund të jetë i vërteti në të dyja ngjarjet, minimalisht njëri është i rremë apo ndoshta edhe të dytë në llogari elektorale.












