
Pas zhvillimeve të fundit në 4 komunat veriore të Kosovës, në ditë e premte kur pati rezistencë nga protuesit serbë për të mos lejuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet komunale, ambasada amerikane ftoi në takim ditën e djeshme 4 kryetarët e komunave veriore, respektivisht Zubin Potokut, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Ftesës për takim iu përgjigjen kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, që vijnë nga radhët e PDK-së, kurse refuzuan të shkojnë kryetarët e Mitrovicës Veriore dhe Leposaviqit, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj të sigurta se dy kryetarët që morën pjesë në takim me ambasadorin amerikan, Hovenier, janë pajtuar që të mos dalin në vendin e tyre të punës në objektet komunale.
Sipas këtyre burimeve Zeqiri dhe Peci kanë pranuar propozimin amerikan që mos të dalin në vendin e punës deri në një dakordim të radhës me ambasadën amerikane.
Po ashtu këto burime kanë konfirmuar për Veriu.info se Qeveria e Kosovës po vazhdon të bëjë presion tek kryetari i Zubin Potoku dhe ai i Zvçanit që të dalin në vendin e punës në objektet komunale.
Kujtojmë që gjendja në veriun e Kosovës është e tensionur nga dita e premte e sidomos dje ku pati përleshje të ashpër mes protestuesve serbë dhe KFOR-it e Policisë së Kosovës, ku mbetën të lënduar dhjetra persona.
Situatë e tensionuar vazhdon edhe sot ku shumë qytetarë serbë janë mbledhur sërish para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq./Veriu.info/










