Situata në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar ku serbët po vazhdojnë refuzimin për t’u kyçur në institucionet e Kosovës.
Muaj më parë serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, e bashkë me ta edhe policët e komunitetit serb.
Së fundi në një konkurs për zyrtarë policorë janë pranuar policë të rinj nga komuniteti serb, por që sot disa prej tyre kanë dhënë dorëheqje.
Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj se të paktën 3 policë të komunitetit serb të pranuar së fundi në punë, kanë dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në veri.
Gazeta Online Veriu.info ka kontaktuar zëvendëskomandantin e Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, i cili ka thënë ta kontaktojmë pas 10 minutash ku do të mund të jepte një informacion të konfirmuar zyrtar, por i njëjti më nuk ka hapur telefonin.
Kujtojmë që situata në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar sidomos pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në 4 komunat veriore.













