Një vrasje e rëndë sot në mesditë ka tronditur Prishtinën, ku një person ka mbetur i vdekur pasi është qëlluar me armë zjarri.
Gazeta Online Veriu.info raportoi ekskluzivisht për rastin duke zbuluar sipas burimeve emrin e viktimës nga Podujeva, Rexhep Tahiri, kurse të dyshuar janë Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj brenda policisë së Kosovës se si ka ndodhur ngjarja në hotelin “Adria” në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Këto burime kanë treguar se fillimisht viktima ishte brenda në restorantin e hotelit bashkë me një ndërmjetës dhe disa persona tjerë, dhe pastaj ka ardhur dorasi me ç’rast kanë diskutuar verbalisht me tone të larta.
Rasti mësohet se ka ndodhur për pazare pronash, ku viktima ka akuzuar dorasin se e ka mashtruar lidhur me këto prona.
Ky burim ka dhënë detaje tjera për Veriu.info, sipas të cilit dorasi është larguar nga tavolina dhe viktima me personat tjerë kanë shkuar pas tij dhe kanë vazhduar debatet e ashpra.
Për një moment viktima sipas këtij burimi ka nxjerrë një thikë dhe tollovia e ka krijuar ka vazhduar edhe në hapësirën jashtë hotelit, ku dyshohet se i vrari ka goditur dikë me thikë dhe si kundërpërgjigje dorasi ka shkrepur armën duke lënë të vdekur viktimën.
Pas këtij momenti tragjik në vendin e ngjarjes ka dalë policia e Kosovës dhe njësitet relevante.












