Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me tensionet e ditës së djeshme në komunat në veri të vendit.
Shala tha se në aspektin operacional procesi i ndërhyrjes së Policisë ka qenë legjitim dhe forca e përdorur ka qenë minimale.
“Sa i përket çështjes së Veriut dhe situatës së krijuar pas incedenteve të ditës së djeshme unë po shpresoj që faktori ndërkombëtar do të reagojë duke i bërë presion edhe palës tjetër jo vetëm institucioneve të Republikës së Kosovës. Në aspektin taktik dhe operacional procesi i ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në mbështetjen e kryetarëve të sapozgjedhur ka qenë legal dhe legjitim dhe forca që është përdorur aty ka qenë minimale në porpocion me rrezikshmërinë” tha Shala për “Gazeta Blic”
Ai shprehet se problemi tashmë qëndron nëse ditën e hënë kryetari ka kushte për të hyrë në objekt.
Shala thotë se ekziston mundësia që punonjësit të bojkotojnë punën e kryetarit.
“Sa i përket ditës së së hënë mbetet çështje me kruciale të shihet se a do të kemi ambient dhe kushte për të hyrë kryetarët e sapozgjedhur në objektet përkatëse. Dilema e problematikës do të mbetet çështja se çfarë do të bëjë kryetari i vetëm në një objekt ku ndoshta si reaksion i veprimeve nga ana e Prishtinës zyrtare mund të kemi që punonjësit në kuadër të këtyre objekteve do ta bojkotojnë punën e kryetarit”
Eksperi i sigurisë, Shala, tha se tensionet pritet të jenë të vazhdueshme deri në zgjidhjen e çështjes, nga faktori ndërkombëtar.
“Gjërat do të jenë shumë të “koklavitura” në konteksin e saj që tanimë çështjet që mund të jenë në shikim të parë legale dhe legjitime tani po marrin konotacion ndërkombëtar të çështjes në raport me Serbinë, pra tensionet do të jenë të vazhdueshme dhe permanente derisa çështjet të zgjidhen nga intervenimet e faktorëve ndërkombëtarë që do të jenë prezent në ditët në vijim” tha Shala në një deklaratë dhënë për “Gazeta Blic”
Dje, kryetarët e zgjedhur të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin-Potokut kanë hyrë në objektet e komunave me asistimin e Policisë.
Kjo ka sjellë edhe agravimin e situatës duke bërë që disa serbë lokalë të përplasen me Policinë.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina.
Pas këtyre tensioneve, ka reaguar Bashkësia Ndërkombëtare.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe ka dënuar veprimet e njëashme të Kosovës.













