Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka hedhur poshtë deklarimet e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët ditën e diel deklaruan se ky dikaster po ushtron presion dhe nënçmim ndaj dy kryetarëve të zgjedhur në Zubin Potok dhe Zveçan, për marrjen e detyrës.
Ministri Krasniqi në një deklaratë ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e zgjedhur dhe se nuk kanë asnjë problem nga ana e Ministrisë.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e zgjedhur. Në momentin që zgjidhen kryetarët aty biejnë poshtë këto uniformat partiake, edhe fillojnë me u trajtu në vija institucionale. Me katër kryetarët jemi taku vazhdimisht edhe jemi duke e koordinuar gjithë procesin”, është shprehur ai.
Krasniqi shtoi tutje se, janë në pritje të ftesës për mbajtjen e seancës dhe se do të vazhdojmë me përgjegjësit e tyre si Ministri e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Krasniqi ritheksoi se nuk kanë asnjë problem si Ministri me Partinë Demokratike të Kosovës, por nëse dikush dëshiron të politizojë çdo segment, atëherë ai nuk ka çfarë të diskutojë.
“Ne jemi në koordinim me kryetarët dhe jo me partitë, janë disa procese që munden të bëhen publike dhe disa deri të koordinohen, por çdo gjë është brenda afateve ligjore. Prej pikëpamjeve të mia jo nuk ka probleme, nëse dikush dëshiron me politizu secilën segment nuk kam çfarë diskutoj më shumë”, ka deklaruar ai për Telegrafin.











