Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka njoftuar se emisari britanik Lord Peach është takuar me presidenten Vosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimin. Në takime është folur për çështjen e implementimit të marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë.
”Sot mirëpritëm Lord Peach, të dërguarin special të kryeministrit për Ballkanin Perëndimor, në Kosovë. Ai e nisi vizitën e tij me takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe deputetin Besnik Bislimi”.
“Në përputhje me detyrën e tij për të mbështetur stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, Lord Peach theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për përpjekjet e mëtejshme drejt sigurimit të një Kosove të sigurt dhe afatgjatë, duke përfshirë ndërtimin e momentit drejt zbatimit të marrëveshjeve të arritura përmes BE-së Dialog i lehtësuar”, thuhet në njoftim.
Sipas ZKM-së, bëhet e ditur se diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, çështjet aktuale dhe situatën në rajon. Bislimi vlerësoi partneritetin e fuqishëm mes dy vendeve tona si dhe theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm si me ambasadorin Abbott, ashtu dhe me emisarin Peach.
Tutje ai informoi Peachin rreth procesit të dialogut si dhe rolit aktiv e konstruktiv të Republikës së Kosovës.
“Vendi ynë në vazhdimësi ka dëshmuar angazhim e përkushtim jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve e njohje me Serbinë, por edhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve të rajonit, si katalizator për paqe e harmoni, zhvillim e progres. Aleanca e miqësia me Mbretërinë e Bashkuar bartin rëndësi të veçantë për Kosovën”, thuhet në kumtesën për media nga zyra e kryeministrit.
Nga kryeministria bëjnë të ditur se në takim me Kurtin çështjet të cilat u diskutuan ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.
U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë.
Kurti falënderoi Peachin për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it. Theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.












