Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka sqaruar se pas përfundimit të mandatit të presidentes aktuale më 4 prill, përgjegjësitë e shefit të shtetit kalojnë automatikisht te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pa pasur nevojë për vendim apo urdhër formal.
Që nga viti 2008, kur shpalli Pavarësinë, më 4 prill të këtij viti vendi do të gjendet në një situatë institucionale me të cilën nuk është ballafaquar më parë: skadimi i mandatit të presidentit aktual pa u zgjedhur presidenti i ri.
Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, nuk e ka paraparë në mënyrë të qartë një situatë ku përfundon mandati i presidentit aktual dhe në të cilën nuk është zgjedhur në kohë presidenti i ri.
Në debatin publik mbizotëron interpretimi se rasti i përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani do të interpretohet si “mungesë e përkohshme” e presidentit, siç parashihet në nenin 90 të Kushtetuta e Kosovës.
Sipas këtij interpretimi, kompetencat e presidentit do t’i kalonin për një periudhë deri gjashtë muaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, edhe pse Neni 90 i Kushtetutës flet në mënyrë eksplicite vetëm për rastet e Mungesës së Përkohshme të Presidentit, jo për rastet kur presidenti i ri nuk është zgjedhur.
Neni 90 specifikon se në rast të mungesës së përkohshme, presidenti mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ai/ajo mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to”, thuhet specifikisht në Nenin 90, paragrafin 1 të Kushtetutës.
Ngjashëm kishte ndodhur me rastin e dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi në vitin 2020 dhe kalimit të kompetencave te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, asokohe Vjosa Osmani.
Në situatën aktuale, a do të duhej që presidentja në largim Vjosa Osmani të nxjerrë urdhër për bartjen e detyrave të postit të presidentit te kryetarja aktuale e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu?
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk ka asnjë dilemë se Neni 90 i Kushtetutës vlen edhe me rastin e përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Sipas profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani nuk paraqet situatë të paprecedentë.
Në një intervistë për Paparacin, Hasani tha se në rastin konkret bëhet fjalë për një vakancë që krijohet me përfundimin e mandatit të presidentit aktual, një çështje që është sqaruar nga aktgjykimi i vitit 2011 pas largimit të ish-presidentit Behgjet Pacolli.
“Neni 90 nuk mund të interpretohet ndaras nga aktgjykimi për rastin e amendamenteve kushtetuese dhe nga praktika e ndërtuar pas largimit të zotit Behxhet Pacolli”, tha Hasani. “Ai aktgjykim dhe ajo praktikë e bëjnë të qartë se Kryetari i Kuvendit, sa herë që posti i Presidentit të Republikës mbetet vakant, ngjitet një nivel më lart të ndërtesës së Kuvendit dhe nis ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësive të shefit të shtetit për një periudhë deri në gjashtë muaj, jo më shumë”.
Sipas Hasanit, në këto rrethana nuk nevojitet as votim në Kuvend dhe as ndonjë autorizim nga presidentja në largim.
Ai shtoi se kalimi i kompetencave te kryetarja e Kuvendit bëhet automatikisht, bazuar në rendin kushtetues dhe në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, praktika e njëjtë është ndjekur edhe në rastet e mëhershme, si pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, kur ushtrimin e detyrës e mori kryetarja e Kuvendit, asokohe Vjosa Osmani.














