Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të premten se vendi i tij po përpiqet të organizojë një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut rus Vladimir Putin në Stamboll, si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë zgjidhje konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Gjatë kësaj jave, duke zhvilluar bisedime me Putinin dhe Trumpin, do të përpiqemi të shohim nëse mund t’i bashkojmë këta udhëheqës në Stamboll”, tha Erdogan pas faljes së namazit të xhumasë në Stamboll.
Deklarata e tij vjen pak ditë pas zhvillimit të raundit të tretë të bisedimeve mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, që u mbajt në Stamboll, ku palët shkëmbyen propozime për hapat e mëtejshëm të procesit të paqes.
Këto komente, Erdogan i bëri gjatë Panairit të 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) 2025 në Stamboll, ku foli edhe për progresin e Turqisë në këtë sektor.
“Progresi i arritur nga IDEF-i në industrinë e mbrojtjes zë një vend të veçantë në skenën globale”, theksoi ai, duke shtuar se Turqia ka filluar të marrë porosi të konsiderueshme për produkte të mbrojtjes dhe ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj.
“Kur morëm detyrën, industria jonë e mbrojtjes kishte një potencial prej rreth 20 miliardë dollarësh, por tani ka arritur një potencial prej rreth 80 miliardë dollarësh dhe shpresojmë se do të bëhemi edhe më të fortë”, tha presidenti turk.