Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i tha presidentit rus Vladimir Putin se lideri ukrainas Volodymyr Zelensky është gati të takohet me të në Turqi, tha zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin.
“Ne vazhdojmë të punojmë në atë drejtim, mbajtja e një takimi të tillë padyshim që do të ndikonte pozitivisht në situatën. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë”, tha Kalin, përcjell TRT TV.
Ukraina do të mbajë raundin e tretë të bisedimeve për përfundimin e konfliktit të hënën më 7 mars.
Këtë e ka bërë të ditur negociatori ukrainas David Arahami në Facebook, ai nuk ka dhënë detaje rreth negociatave, por ka konfirmuar se janë dakorduar.
Një burim i afërt me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi kishte propozuar që raundi i tretë i bisedimeve të mbahej më 7 mars dhe se po prisnin që Rusia ta konfirmonte këtë, njoftoi uebfaqja “E vërteta e Ukrainës”.
Deri më tani delegacionet kanë negociuar dy herë, por pa sukses, duke pasur parasysh se pushtimi ka vazhduar dhe Putini u ka thënë ukrainasve se do t’ua fshijë shtetësinë.












