Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), vazhdon ta sheh të brishtë situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Kjo për shkak të dorëheqjeve nga institucionit që kanë ndodhur vitin e kaluar nga zyrtarët serb.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë pasi vakumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjykatësve dhe personelit mbështetës serb të Kosovës ende vazhdon”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it, për Front Online.
E, duke parë situatën e tillë, nga EULEX-i, kur janë pyetur se a janë duke e shqyrtuar mundësinë që të rrisin numrin e pjesëtarëve të tyre në atë pjesë, kanë thënë se përpos 101 policëve, janë edhe 34 xhandarë që po mbështesin kapacitetet e misionit në terren.
“EULEX-i po ndjek nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së Njësisë së Formuar të Policisë, e cila përbëhet nga 101 policë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Përveç kësaj, 34 xhandarë të Njësisë së Policisë së Formuar në Rezervë (NFPP) po mbështesin kapacitetin e Misionit në terren”, thuhet më tutje në përgjigje.
Ndërsa, thonë se janë të gatshëm të mbështesin Policinë e Kosovës maksimalisht në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë të të gjitha komuniteteve.
EULEX: Kosova dhe Serbia të fokusohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja
Nga misioni i EULEX-it, kanë folur edhe për deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë ose normalizim ose konflikt, dhe se BE-ja po punon për të parën.
Sipas tyre e vetmja rrugë përpara është normalizimi.
Kurse, kanë kërkuar nga të dyja palët që të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensione.
“E vetmja rrugë përpara është normalizimi i marrëdhënieve përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo që është e rëndësishme është që palët të fokusohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensione”, thuhet në përgjigjen për Front Online.













