Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka emëruar Fahri Jasharin, drejtor të ri të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, njofton VeriuInfo.
Ky emërim erdhi pasi ish-drejtoresha e DKRS-së në Mitrovicë, Valdete Idrizi, kishte dhënë dorëheqje.
Lidhur me detyrën e re Jashari u shpreh shumë i lumtur duke premtuar punë të reja dhe përkushtim maksimal.
“Për mua do të thotë shumë punë, angazhim e përkushtim maksimal në vazhdimin e punëve të mira që veç kanë filluar më herët, por edhe punë të reja që do të fillojnë së shpejti”, tha ai.
Postimi i plotë:
Jam i lumtur që sot po rikthehem në DKRS, me një përgjegjësi të re. Atë të Drejtorit të kësaj drejtorie, në të cilën kam punuar plot 13 vite. Ky besim dhe kjo përgjegjësi në këtë pozitë më është dhënë nga Kryetari ynë Bedri Hamza.
Për mua do të thotë shumë punë, angazhim e përkushtim maksimal në vazhdimin e punëve të mira që veç kanë filluar më herët, por edhe punë të reja që do të fillojnë së shpejti. Ju të dashur komunitet sportiv, kulturor, shoqëri civile, media, ju të dashur rini, uroj dhe ju ftoj në vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që e kemi pasë në këto dy vite, ta vazhdojmë edhe tani.
Bashkë do ta bëjmë Mitrovicën tonë, ashtu si e meriton. Na priftë e mbara bashkë.













