Dy herë radhaz ishte emëruar i dyti i komunës së Mitrovicës, e që duket se ky fat e ka përcjellë edhe në “Ibër-Lepenc” në garën për kryeshef të kësaj ndërmarrje.
Ky fat e përcolli sërish Faruk Mujkën e VV-së, që mbante pozitën e nënkryetarit të komunës në Mitrovicë, e tash po synon ta drejtojë ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”.
Pozitën e synuar nga Mujka e ka siguruar Luan Hoti që ka dalë i pari me pikë. Ky vendim është publikuar dje dhe Veriu.info e ka siguruar ekskluzivisht për lexuesit.
Por përdallim nga komuna, radhitja i dyti në garën për kryeshef të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, nuk i mundëson emërim në ndonjë pozitë, përkundrazi e eliminon nga gara, duke e lënë momentalisht në pozitën e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, ku është edhe shef i grupit të asamblistëve të LVV-së.
Nga 25 kandidatë që janë në garë për ta drejtuar këtë ndërmarrje, Faruk Mujka ka dalë i dyti me pikë në intervistën e zhvilluar nga bordi i ndërmarrjes, i cili ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës, kryeministër i së cilës është kryetari i partisë së Mujkës.
Ish kryetari i LVV-së në Mitrovicë ka siguruar 60 pikë në intervistë për kryeshef, duke u futur në listën e ngushtë të kandidatëve, por që në fund nuk ka arritur të fitoj pozitën e synuar.














