Faton Bislimi, drejtor ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka paralajmëruar se do ta padisë për shpifje Shqiprim Arifin, kryetarin e Komunës së Preshevës, i cili mbrëmë e quajti hajn ish-deputetin e LDK-së, duke hedhur ndaj tij akuza të rënda.
Bislimi shkroi në Facebook se avokati i tij, Sherif Sherifi “ka proceduar me padi për shpifje ndaj Arifit në gjykatë”.
Padia e deponuar sot në Kosovë, Bislimi tha se Arifit “do t’i bëhet edhe në Gjermani”, meqë ai mban nënshtetësinë gjermane.
“Asnjëherë, unë nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga asnjë institucion qeveritar i Kosovës dhe krejt angazhimi im në SHBA për cështjen e Luginës – tash e mbi dy dekada – ka qenë për interes kombëtar dhe janë rezultatet e këtij angazhimi ato që flasin më së miri e me zërin më të lartë. Tentimi i tij për të lënduar publikisht figurën time është i destinuar për dështim!”, ka shkruar ai ndër tjerash.
Bislimi tha se akuzat e Arifit janë në shërbim ndaj Beogradit “dhe shefave të tij si Vulin e Vuçiq”.
“Telalli i Beogradit do bënte mirë të pyeste vetën, para se të tentojë të denigrojë personalitetin tim, se ku ishte e çfarë të mire bënte për shqiptarët e Luginës qysh më 2003, pra njëzet vite me parë, kur unë organizoja takimet e para të përfaqësuesëve politikë të Luginës me delegacionet e SHBA-ve? Kur ky aksidentalisht arriti të bëhej kryetar komune njëherë, dhe herën tjetër me masa të dhunëshme nga Beogradi, pasi unë kisha gati 15 vjet angazhim në kauzën e Luginës së Preshevës, le ta pyes vetën ky pse refuzoi çdo takim për çështjen e Luginës, përfshirë në fillim edhe atë me Ambasadorin Walker më 2016?”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka përmendur aktivitetet e tij në Washington, duke thënë se sulmi ndaj tij për këtë është “të sulmohet kauza e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Reagimi i plotë i Faton Bislimit:
SELAM TELALLIT TE BEOGRADIT
(prononcim publik dhe për media)
Ka disa paraqitje publike në të cilat Shqiprim Arifi, Kryetar i Preshevës, është marrë me shpifje e fyerje nga më të ultat ndaj meje. Në varg të kësaj fushate smirzije ishte edhe një pjesë e paraqitjes së tij mbrëmë në T7. Sot, përfaqësuesi im ligjor, avokati Sherif Sherifi, ka proceduar me padi për shpifje ndaj Arifit në gjykatë! Asnjëherë, unë nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga asnjë institucion qeveritar i Kosovës dhe krejt angazhimi im në SHBA për cështjen e Luginës – tash e mbi dy dekada – ka qenë për interes kombëtar dhe janë rezultatet e këtij angazhimi ato që flasin më së miri e me zërin më të lartë. Tentimi i tij për të lënduar publikisht figurën time është i destinuar për dështim!
Një person si ky nuk meriton as kohën e as vëmendjen time, por për hirë të transparencës ndaj publikut, po e bëj këtë prononcim – të parin dhe të fundit – në lidhje me personin në fjalë dhe kazanin e mykur të deklarimeve të tij publike shpifëse!













