
Emisari Miroslav Lajçak vetëm se e ka konfirmuar që pret nga palët të dakordohen për planin franko-gjerman dhe se mund të ketë më shumë se keq. Vlora Çitaku e PDK-së thotë se Kurti të hënën do të nënshkruajë “marrëveshjen për armëpushim, Asociacionin, dhënien e Kishës Ortodokse Serbe status politik”. Petrit Selimi ka folur sipas burimeve të veta se Perëndimi bën presion për “marrëveshja brenda ditësh”. Visar Ymeri dhe Meliza Haradinaj i kanë dhënë Gazetës Express këndvështrimin e tyre rreth asaj që mund të nënshkruhet më 27 shkurt në Bruksel dhe çka bëhet tutje.
Kryeministri Albin Kurti, sipas planeve, do ta takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciqin, të hënën, më 27 shkurt, në Bruksel. Me përafrimin e këtij takimi, janë shtuar zërat se diçka do të nënshkruhet atë ditë mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Miroslav Lajçak, që e ka thirrur dhe e ndërmjetëson takimin, ka shfaqur besimin se palët do ta pranojnë propozimin evropian dhe ai do të bëhet i detyrueshëm. Propozimi, thotë ai, nuk negociohet më dhe tani është “merre ose leje”
“Ne presim që ata [Kurti dhe Vuçiq] zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin. Do të jetë më shumë se pranim gojor. Por nuk dua të flas për ceremoni sepse do të diskutojmë për planin e zbatimit. Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, ka thënë ai për RTK-në.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se Kurti do të nënshkruajë “marrëveshjen për armëpushim, jo marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër”. Sipas saj, me nënshkrimin e së hënës, Kurti do të zotohet për vazhdimin e dialogut për një dekadë tjetër.
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se ftesa nga Bashkimi Evropian për një takim mes Kurtit dhe Vuciqit pas një kohe të gjatë, është një shenjë se ka përafrim mes palëve.
“Edhe Kryeministri Kurti edhe Presidenti i Serbisë Vuçiq tashmë e kanë thënë publikisht se në parim e pranojnë Planin Evropian. Në kuadër të këtij plani ka një kalendar se kur çka duhet të ndodh. Logjika e thotë se kur dakordohesh në parim, dakordohesh për të gjitha ato pika për të cilat flet Plani Evropian. Por edhe për sekuencimin e ngjarjeve përbrenda procesit të normalizimit sipas Planit Evropian. Shtoja kësaj pastaj edhe faktin që BE pas një kohë të gjatë ka vendosur të thërrasë takimin mes dy krerëve të shteteve përkatëse (Kosovë, Serbi) që është një shenjë që ka përparim në qëndrime të të dyja palëve, përndryshe nuk do të kishte pasur hapësirë për takim”, thotë Ymeri.
Ish-deputeti, që përcjell zhvillimet politike në vend, pret që të hënën të ketë pajtim në parim për propozimin evropian, që në masë njihet edhe si plani franko-gjerman.
“Unë pres dakordim në parim për Planin të hënën, dhe pastaj fillon një proces shtesë negociator i konkretizimit të pikave të caktuara të tij”, ka thënë Ymeri.
Edhe ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla thotë se pret që javën e ardhshme një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, asnjëra palë nuk do të marrë nga marrëveshja krejt çka ka kërkuar.
“Unë pres se marrëveshja do të arrihet, ndoshta jo të hënën por ditët e para të javës së ardhshme, dhe asnjëra palë nuk do të marrë atë që ka kërkuar vazhdimisht përmes qëndrimeve maksimaliste. Pra nuk do të ketë as Asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, e as njohje de facto apo de jure”, ka thënë Haradinaj.
Ish-kryediplomati Petrit Selimi, këtë javë, në profilin e tij në Tëitter ka shpërndarë disa informata që thotë se i ka prej burimeve të tij nga Perëndimi. Ai fillimisht tha se në planet e ndërmjetësuesve, që janë edhe sponsorizues të propozimit evropian, të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në një afat shumë të shkurtër kohor. Përmendi “javët ose muajt në vijim”.
Më tej ai citoi burimet të ketë thënë se ka presion nga Perëndimi që një marrëveshje bazë të arrihet “brenda ditësh”.
“Për t’i bërë gjërat më intriguese, disa burime të tjera perëndimore po më thonë se presioni është sigurisht për nënshkrimin e marrëveshjes në parim, sipas propozimin evropian, mes Kosovës dhe Serbisë “brenda ditësh”. Jo brenda javëve”, ka shkruar Selimi, duke thënë se shtesat tjera mund të marrin “pak më shumë kohë”.
Sipas asaj që e ka thënë Lajcaku, palët të hënën, duke dhënë aprovimin për propozimin franko-gjerman, hyjnë në një epokë negociatash, që përmbyllen me një marrëveshje finale, para se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE.
“Plani, që besoj se do ta pranojmë të hënën, do të bëhet i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është marrëveshje e përkohshme, pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, që do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, para hyrjes së Serbisë e Kosovës në BE”, ka thënë Lajçak për Tanjug.
Për strukturën e planit franko-gjerman dhe negociatat shtesë që do të mund të bëhen Ymeri shton se plani i publikuar në media vetëm ravijëzon parimet brenda të cilave kërkohet ujdia.
“Plani Evropian nga ajo sa është botuar nëpër media (duke mos pasur qasje në versionin zyrtar) i ravijëzon parimet sipas të cilave udhëhiqet procesi i negociatave dhe përbrenda të cilave do të duhej të mbetej marrëveshja”.
Ymeri thekson më tej se përgjatë procesit mund të bëhen ndryshime të caktuara, por vetëm përbrenda parimeve të planit franko-gjerman.
“Nëse ka proces shtesë negociator, siç parashihet në Ankesin që është pjesë integrale e Planit, atëherë këto negociata kanë hapësirë të bëjnë ndryshime të caktuara brenda këtyre parimeve. P.sh definimi i asaj se çka do të nënkuptonte një nivel i përshtatshëm i vetëqeverisjes për komunitetin serb e përcakton cilësinë e marrëveshjes përfundimtare. Kështu që duket se, përkundër që parimet bazë janë tashmë të panegociueshme, teksti i marrëveshjes nuk është domosdoshmërisht i paracaktuar i tëri.
Haradinaj-Stublla e pret një dialog “të pafundmë” pas dakordimit që mund të ndodhë javën e ardhshme ndërsa marrëveshjen potenciale e sheh si një armëpushim të përkohëshë,.
“Kosova e Serbia do të vazhdojnë dialogun pafund, pa afat për përmbyllje finale, e pa garanci decidive për asnjërin shtet për anëtarësim në NATO apo BE. Pra do të jetë një armëpushim i përkohshëm, për të vazhduar rrugëtimin për stacionin e radhës, eventualisht stacionin final”
Takimi i fundit mes Vuçiqit dhe Kurtit ndodhi në fund të nëntorit të 2022-s, për çështjen e targave ilegale, që atëherë kishte tensionuar situatën në veri të Kosovës.












