Shkruan: Fadil Maloku
1. Fethullah Gylen, i cili me qasjen, dhe predikimet e tij post moderne mbi demokracinë, humanizmin, tolerancën dhe harmoninë midis kombeve shteteve e religjioneve, në vitin 2015 arriti të shpallet në mesin e 100 personaliteteve më të shquara botërore. Ai nëpërmjet një kompleksi shembujsh (duke filluar që nga koha e të dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s.) idesh, konceptesh dhe ligjërimeve të paqësore, arriti të ofroj një botëkuptim shumë më liberal, shumë më të kapshëm për kategori e shtresa nga më të ndryshme sociale, politike, fetare e kulturore. Në këtë proces rinjohjeje me proceset aktuale Gylen na ofron një alternative paqësore civile që njihet me emrin Hizmet (Shërbesa). Tani, përse, ky personalitet kaq karizmatik dhe me përmasa gjigande kur janë në pyetje ushtrimi i ndikimit të emancipimit të masave të gjëra përmes edukimit dhe sidomos arsimimit (në mbi 300 shkolla e kolegje në gjithë globin) të shpallet nga shteti si terrorist!? Hapja e shkollave të Hizmetit, të identifikuara me emrin, paradigmën dhe “etiketën” e Fethullah Gylenit, ishin një risi edhe për ambientin sociopolitik kosovar. Anipse, unë personalisht paraprakisht nga kureshtja kisha pakashumë njohuri për jetën, shkrimet dhe përkushtimin që ai i kishte kushtuar sferës së arsimimit dhe edukimit të gjerë tē masave në botës islame, anekënd rruzullit. Madje, jo vetëm islame por edhe atyre joislame, me faktin se shkollat (mbi njëmijë sish) e tij që ishin ngritur në mënyrë meteoritë dhe me aplikativitet masiv në pothuajse shumicën e shteteve (mbi njëqind sish) postkomuniste, madje edhe (pesë) kontinenteve. Lëvizja e tij (ekskluzivisht me primesa civile!) e ngritur mbi fondamentet, primesat dhe standardet shoqërisë perëndimore, pëveç karizmës sociale që e kishte ndërtuar me dekada falë kontributit dhe hapjes së shumë qendrave edukativo arsimore nëpër gjithë vendet e sipërpërmendura, tashmë ishte bë e njohur edhe me etiketën e “lëvizjes terroriste”, që e kishte shpallur publikisht pushteti i ish mikut, shokut e padyshim edhe ish bashkëpunëtorit të tij, Presidentit aktual turk Taip Erdoganit! Këtë nofkën e “terrorizmit” padyshim që asnjëherë se kam marr seriozisht si të vërtetë dhe tejet të dyshimtë. Dhe këtë e kam bërë për një arsye shumë të thjeshtë; asnjëherë nuk kam pritur, të mendoj e aq më pak të bindem se një një inspirues i (kalibrit dhe përmasave tej botēs islame) edukimit dhe arsimit bashkëkohore, me këto përmasa me dhe me këtë ndikim në shekullin tonë, mund te ishte njëkohësisht edhe pishtar arsimi e edukimi, po edhe frymëzues shpirtëror e ideor i praktimit dhe teoritizimit të islamit në kohën tonë.
2. Por, kureshtja sociologjike dhe gjitha librat që i kisha lexuar s’bashku me ca shkrime në anglishte dhe gjuhen turke dhe ca prononcime publike të pasluftës që i kisha bë për te si personalitet dhe si vokacion liberal intelektual islam, më patën shtyrë t’i shkoj deri në fund analizës dhe kërkimit të shkaqeve, po pse jo edhe pasojave eventuale të një stigmatizimi e paragjykimi të tillë sistematik që iu bë atij personalisht dhe gjithë lëvizjes Hyzmet. Natyrisht, në gjithë kate “odisejadë” stigmatizimesh e “shpalljeve” ad hoc e me pretekst të anatemimit dhe ndjekjes së ithtarëve, pasuesve, simpatizantëve dhe sidomos aderuesve e çka është edhe mē absurde, edhe stafit të shkollave (pedagogëve, stafit administrativ e atij udhëheqës) siç ishte arrestimi pompoz e mediatik i tyre në Kosovë. Në fakt, isha shumë kureshtar tē gjeja argumentet dhe atutë publike e madje edhe ato mediatike, që qeverisë turke iu kishin nevojitur për ta shpallur personalitetin e Fathullah Gylenit (edhe ate: nga aula e Parlamentit?!) , si njeri të rrezikshëm , e madje edhe is “terrorist’?! Kur në thellësinë e mësimeve dhe përkushtimin e tij për altruizmin, arsimimin dhe edukimin e masave të gjëra kudo në botë, kisha lexuar dhe mbajtur në mend atë thënien e tij të famshme, se “ s’ka shanse që një mysliman i njëmendët të mbahet si terrorist, e as një terrorist i njëmendët të mbahet si mysliman” . Në ndërkohë, më dukej po ashtu tërësisht e pamundur që i njëjti person dhe e njëjta (tashmë edhe ) lëvizje e shquar moderniste të mund të “mirëmbahej” kaq gjatë dhe kaq publikisht edhe si humaniste e edhe si terroriste!? Ka shumë arsye logjike, sociale e sidomos sosh politike, e duke mos përjashtuar edhe arsyet fetare, që i njëjti personalitet në gjithë këtë rrëmujë e kaos teknologjik (shkaku i rritjes së transparencës publike dhe zgjerimit të mekanizmave të kontrollit global) të shndërrohet edhe në një lloj “fausti”modern që fsheh dhelpërisht, si pikëpamjet ashtu edhe bindjet e veta ideologjike, etnike, fetare, qytetëruese e ato kulturore. Nëse, i rikthehemi momentit të influencës qē e ushtron ende ky frymëzues e ideator i modelit të arsimit global, jo vetëm tek myslimanët, por, edhe jomyslimanët, e që historia më e re sociale perëndimore e besa tashmë edhe ajo politike e fetare e njeh si “kleriku” Fethulah Gylen, kuptojmë se realisht nuk kemi të bëjmë vetëm me emrin e tij, por edhe me lëvizjen, veprat, artikujt, mediet që ishin hapur në emër të kësaj Lëvizjeje. Personalisht, “kontaktin”e parë me idetë dhe konceptet e tija bazë, unë i kam pasur përmes ca artikujve që i lexoja kryesisht në anglisht nëpër mediet e ndryshme sociale.. Mirëpo, me vonë kur filluan të përkthehen edhe kompleti i librave që në kohën e pasluftës u shpërndan në gjithë arealin shqiptar, dosido mua më është rritë si interesimi ashtu edhe kureshtja për të gjurmuar dhe marrë informacione shtesë dhe krejtësisht të panjohura gjerë në këte kohë, për këtedijetarë padsyhim të përmasave globale.
3. Them kështu, edhe për shkakun se; bota perëndimore, qasjen e tij edukativo arsimore, atë sociale, pastaj atë qytetëruese e kulturore, e kishte pranuar botërisht si një koncept shumë më pragmatik, shumë më lojal e shumë më të kapshëm për sensin dhe standardet vlerore që ajo po i rindërtonte në vazhdimësi në kohën e postmodernizmit. Pra, duke parë, që koncepti, filozofia qasja dhe botëkuptimi se si i sheh (me tolerancë, me altruizëm, me emancipim jo vetëm social por edhe sish fetar) Fethullah Gyleni, botën dhe qytetërimin perëndimor, ka bërë që për shumicën e komunitetit intelektual jo vetëm të nivelit global e kontinental, por edhe të nivelit rajonal e lokal, të konsiderohet e të trajtohet jo vetëm si atraktiv e interesant, por edhe si islam i vërtetë (sidomos pjesa e tolerancës ndër fetare dhe ndërkulturore) kundruall “tipeve të islameve populiste politike”, e “islameve fundamentaliste” e terorriste që i “prodhuan” mendjet diskurset dhe ligjërimet frustruese islamofobe e westofobe. Atëbotë, më pat fascinuar shumë qasja, altruizmi, fryma e sidomos perceptimi i tij tejet tolerant ndaj grupeve, komuniteteve, etnive dhe racave e religjioneve tjera në botën e sotme, kur “kaosi” që e presupozonte Samuel Huntigtoni, në librin e tij “Përleshja e civilizimeve” ishte njē e sjellje e pritshme dhe e pakontestuar midis civilizimeve . Teza kryesore, e Huntigtonit (një aparaçiku e apologjeti i ish administratës amerikane) gjeneronte midis tjerash një gjendje dhe faktografi të re sociologjike, ku sipas tij: me rënien e komunizmit, pra, me kolapsimin e tij ideologjik edhe si sistem e edhe formacion, krejt betejat dhe luftërat e ardhshme midis shteteve dhe vendeve postkomuniste e postkapitaliste, nuk do jenë beteja e luftëra me motive dhe natyrë ideologjike, por, detyrimisht beteja, luftëra e përleshje midis kulturave (lexo; religjioneve monoteiste!) globale. Mendoja, nëse vërtetë do ndodhë kështu siç po na aludon Huntigtoni, atëherë si ka mundësi që një autor mysliman, aq më tepër me origjinë turke e me orientim tipik properëndimor, të predikoj të kundërtën e luftës!?
4. Pra, të predikoj; paqen (në vend të luftes), tolerancën (në vend të dhunës), solidaritetin (në vend të urrejtjes) dhe koegzistencën (në vend të “vetmisë” kolektive) midis po këtyre civilizimeve që Huntigtoni realisht i projektonte në imazhet e tij për të ardhmen e njerëzimit, si ballafaqime të padiskutueshme dhe të paevitueshme deri në shkatërrim e sipër!? Po themi kështu, edhe për shkakun se neve ballkanasve, historia na ka mësuar se luftërat zakonisht plasin kur dy palë konfrontuese (dy shtete, dy vende apo dy komunitete fetare, e socioekonomike) fillojnë të “ndërtojnë” narracione, motive e argumente irracionale, për ta ushtruar këtë konfrontim. Aq më tepër një konfrontim të përmasave dhe dimensioneve globale që në një mënyrë i “dekretoi” edhe vet politikologu Samuel Huntigton, në librin e tij bestseller “Përleshja e civilizimeve”. Duke, parë këtë kundërthënie fondamentale, midis këtyre dy autorëve dhe ndikuesve global, për mua si kureshtar e sociolog me një përvojë mjaftë të gjatë ishte interesant të kuptoja diskrepancat e njëkohësisht edhe dallimet serioze midis këtyre dy kolosëve të kohës sonë. Pra, dilema kishte të bënte me dyshimet se si është e mundur që; në njërën anë analiza shkencore (e Huntigtonit) mbi të ardhmen pesimiste të kulturave globale, dhe ajo optimiste (e Gylenit) të mos konfrontoheshin asnjëherë as publikisht e as intimisht, por të vazhdonin të “bashkëjetonin” dhe koketonin heshtazi e e në harmoni të plotë me njëra tjetrën pa kurrfarë reperkusionesh, të “bashkëjetojnë”!?Edhe ate në një ambient të atillë sociopolitik e deri diku edhe atmosferë e gjendje kulturore identike, si ajo e shoqërisë dhe shtetit turk që me dekada të tëra kishte pranuar dhe kultivuar vlerat dhe sistemin e botës perëndimore. Për dallim nga pikëpamjet tjera islame mbi proceset dhe zhvillimet e ndodhura globale, ky i Fethulah Gylenit ishte dukshëm më liberal, më fleksibil në ndërkomunikimet globale fetare, e kulturore. Midis tjerash edhe për shkakun se, përkundër “xhihadit”global fetar, Gyleni ishte dhe mbeti ithtarë i nje “xhihadi” tjetër… atij global arsimor, xhihadit global të tolerancës, xhihadit global tē mirëkuptimit ndërfetar, ndërracor e ndërkulturor. Koncepte këto që në mua zgjuan huti, por edhe kureshtje për të analizuar e studiuar mëtej këtë lëvizje civile. Në realitet, duke i krahasuar këto koncepte e paradigma sociale e edukativo arsimore, të Gylenit, me diskursin dhe vlerat demokratike, kuptoja dhe bindesha që islami i projektuar e i bazuar (edhe në ajetin e parë”ikre”, të Kuranit famëlartë) ishte kompatibil edhe me diskursin aktual global. Dhe se nga horizonti social, ai politik, e sidomos ai religjioz e kulturor, islami si religjion monoteist fare se ka problem të akomodohet edhe me shtratin e rrjedhave aktuale globale demokratike. Dhe se janë paragjykimet, jo njohja e pamjaftueshme dhe stereotipit fetare e ideologjike, ato pengesat kryesore që e pamundësojnë koegzistencēn paqësore midis religjioneve dhe kulturave globale aktuale. Themi kështu edhe për faktin se mosnjohja reciproke e fondamentit tē hapjes, bashkëpunimit, koegzistencës, harmonisë dhe mirëkuptimit disi mbetën të qëllimshme dhe padyshim djallëzore. Themi të qëllimshme, shkaku se si na perspektiva islame ashtu edhe ajo laike ka shumë tendenca të keqkuptimit dashakeq, si të islamit burimor, ashtu edhe të interpretimeve të dogmës mbi demokracinë.
5. Religjionet monoteiste, zakonisht në momentet që fillojnë të kalojnë ekskluzivisht në “pronësi” e kompetencë të klerikëve apokrif dhe sidomos dijetarëve e interpretueseve injorant, ato krijojnë jo vetëm hasmëri me qytetarinë e emancipuar, por, edhe një lloj atrofie me fetaristët. Duhet thënë që Fethullah Gyleni fetarizmën nuk e ka imperativ imediat (ashtu siç mund të mendojnë skeptikët e djeshëm islam, dhe islamofobët e sotëm modern e postmodern), ngase, ai fare nuk mundohet as ta “importoj e as eksportoj” islamin si religjion monoteist, pra, praktikën dhe pragmatizmin e Muhamedit a.s. Thjesht, ai islamin e projekton dhe interpreton racionalisht, empirikisht dhe pozitivisht. Për te, racionalja, empirikja, praktikja dhe pozitivja (jo nē kuptimin pezhorativ, po ate sociologjik), janë metodologjia dhe mekanizmat më adekuat sociologjik përmes të cilave, njeriu duhet të mundohet ta zbuloj të vërtetën; mbi vetën e tij, mbi rrethin social, mbi Krijuesin e gjithëmshirshëm, e në këtë rrugëtim gjithsesi të mundohet edhe ta zbuloj edhe islamin e vërtetë apo burimor. Islamofobët perëndimor dhe ata lindor, islamin e (me veshur me ngjyrime politike) përdorin herë si mjet për të ngritur nivelin e urrejtjes, herë si poligon konfrontimi, e herë si mënyrë stereotipizimi ndaj qytetërimit perëndimor, ashtu si konformistët dhe konkurrentet e tyre fundamentalistët e frustruar islam që e përdorin islamin për ta paragjykuar, anatemuar dhe stigmatizuar botën perëndimore. Këto grupe e komunitete nga këto grupime ekstremist të kundërta e antipode midis vetes, që në kohën tonë kanë shpërndarë me aq aplikativitet masiv, projektin e një civilizimi (jo tē uniformuar, padyshim!) multikulturor e multifetar, e shohim si të pamundur e për të mos thënë edhe të rrezikshëm. Sepse, koncepti i harmonisë dhe tolerancës multikulturore e sidomos ai i tolerancës multifetare, është ajo pengesa kryesore për realizimin e synimeve dhe qëllimeve ekspansioniste. Pra, lëvizjet e tilla deformuese që perceptimin e tyre në publikun e gjerë sociopolitik, e sidomos sish kulturor e fetar, e projektojnë si mundësi reale për ta kultivuar bashkëjetesën e islamit me demokracinë, nuk e kuptojnë se islami (si koncept dhe sidomos si botëkuptim e religjion tejkohor) është dhe mundet me qenë kompatibil me të gjitha sistemet dhe formacionet e imagjinuara dhe të praktikuara nga mendja e njeriut. Sepse, Islami paradigmën e pengesës kohë, nuk e njeh as si koncept e as si dimensionpengues e frustrues për të besuar në një të vetmin Krijues. Madje ai me shkathtësinë e mbijetimit dhe me dimensionin tejkalimit kohor, na bënë tē kuptojmë por edhe të gjykojmë për “gatishmërinë” dhe garancinë e ballafaqimit të tij me të gjitha sfidat që do i paraqitën deri në ditën e gjykimit! ..Mbijetesa e islamit, (pra, nënshtrimit të plotë dhe të padiskutueshëm të njeriut ndaj Krijuesit, deri në ditën e gjykimit) meqë na dëshmohet edhe si garancion hyjnor, si opsion mbetet paradigma e vetme e komunitetit apo lëvizjes që e synon, e ushtron dhe mbanë madje me pietet këtë “mandat” privilegjues. Ngase, edhe në shumë hadithe përmendet që shumë nga këto lëvizje, grupime, shkolla, do e pretendojnë këtë formë “pronësie” mbi trasimin e rrugës së vërtetë. Nëse, u referohemi treguesve social, fetar e sidomos atyre politik po pse jo edhe atyre kulturor, kuptojmë se gjatë gjithë historisë ekzistenciale të islamit, ka pasur dhe do ketë edhe në ardhmen shumë pretendime, shumë aspirant, shumë pretendent, madje edhe shumë grupime e lëvizje jo vetëm për të legalizuar e legjitimuar këtë lloj “pronësimi”!
6. Pa paragjykuar, asnjërin nga këto komunitete, grupime, lëvizje e aspirant të përveçëm, lëvizja Hyzmet duke u bazuar në argumentet e dijes, tolerancës, mirëkuptimit, arsimimit, duket që do marrë vëmendjen e shumë kronistëve, eksperteve dhe studiuesve të ndryshëm si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Tani nëse bëjmë pyetjen, se përse Hizmeti, kundruall gjitha lëvizjeve, grupimeve, shkollave dhe komuniteteve të sotme fetare islame, është ende kaq shumë interesant dhe aq atraktiv, si për publikun lindor ashtu edhe atë perëndimor? Ose thënë, edhe me thjesht: prej nga rrezaton ky lloj “pushtimi” i heshtur, i butë, e për ca të tjerë, edhe i këndshëm? Them kështu, edhe për shkakun se kjo lëvizje “pushtimin” e zemrave dhe mendjeve tē njerëzve, popujve, vendeve dhe civilizimeve, nuk i projekton si pushtim klasik me formë dhe përmbajtje gjahu të dhunshëm, por, si një bindje si një njohje e rinjohje e natyrës së vërtetë të njeriut, me veten dhe me Krijuesin hyjnor. Nga pikëpamja sociologjike, duke analizuar natyrën vullnetare të Lëvizjes së Hyzmetit, pra, duke e projektuar më shumë si një organizim jo shtresëzues e fillimisht edhe tërësisht pa ndonjë hierarki të theksuar subordinuese (që zakonisht lëvizjet me pretendime globale i karakterizon ose subordinimi, ose sjellja misterioze), ti kupton se njerëzit në struktura të tilla inkuadrohen jo nga ndonjë “guide” obligative, e as nga ndonjë obligim fetar, por thjeshtë dhe kryesisht nga prirja humaniste dhe ajo filantrope pë njeriun. Në këtë rast, vëzhguesi i vëmendshëm dhe me përvojë adekuate tipike, ”evidenton” që të dyja këto cilësi përveç që janë humaniste e filantrope, janë dosido shumë më shumë të natyrës morale vullnetare, se sa të natyrës civile angazhuese. Por, në anën tjetër duke parë mënyrën e rritjes enorme të saj, pra nga një lëvizje civile periferike lokale, në një strukturë grandioze globale sociale, ti kupton se në kohën tonë ku dominojnë jo normat morale, por, kryesisht normat dhe standardet materiale (të hedonizmit dhe konzumerizmit) është e pamundur të zgjerosh planet dhe projektet e bymehjes së Hyzmetit. Kështu që duke gjykuar me këta parametra sociologjik e padyshim dominues të kohës sonë, të shtohet kureshtja (por jo edhe dyshimi, fillimisht) që të kuptosh se si është e mundur që maturimi i këtij Projekti, nga një ide, koncept dhe indice lokale, (aq më tepër islame!) të ketë mundësinë të shndërrohet në projekt global. Mirëpo, preokupimi kryesor i Gylenit përmes Hyzmetit, ishte dhe mbetet; edukimi dhe arsimimi i brezit të (ri) artë. Brez i cili me edukimin dhe arsimimin cilësor (që do bazohet në shkencë dhe zbulimet e reja shkencore), në një ardhme jo fort të largët do të mund ta rivendos synimin, ambicien dhe idealin e qytetërimit islam. Ngase, vetëm kështu mund të arrihet të krijohet ajo korniza bazë apo platforma gjithëpërfshirëse e cila do të mund ta rifut islamin sërish në një konkurrencë reale me kombet dhe shtetet e shekullit XXI. Por, për tu arritur ky ideal, sipas tij nuk mjaftojnë vetëm sfera morale dhe ajo etike. Këtyre, pa asnjë mëdyshje u duhet edhe ndihma e solidariteti me sferën materiale, atë sociopolitike, e kulturore.
7. Gyleni dhe Lëvizja e Hyzmetit, kanë shumë mirëkuptim edhe për ekonominë neoliberale, sidomos kur ajo është në gjendje të krijoj konditat tjera sociale e kulturore, në jetën e përditshme sociale të njerëzve. Lëvizja, nuk e mohon faktin se njerëzit janë të motivuar dhe të udhëhequr nga dëshira për pasuri e pushtet. Megjithatë, ai beson dhe shpreson shumë se marrëdhënieve afatgjata e paqësore kur u shtohen edhe normat dhe kodet e sferës shpirtërore, ato vetëm sa mund ta shpejtojnë e stimulojnë mirëqenien dhe emancipimin ekonomik. Qëllimi i lëvizjes, pra, nuk është mohimi e as injorimi apo kufizimi i të drejtave të njeriut (si i perceptojnë ca dashakëqij islamofob e antislamist), por, integrimi social i shoqërisë duke hequr pengesat ligjore përjashtuese nga realizimi i përkufizimit të vet si njeri. Andaj, shoqërive të sotme u mbetet mjaft për të bërë, sidomos, kur janë pyetje fuqizimi i njerëzve me arsimim, edukim e burime të nevojshme për të ndërtuar komunitete e shoqëri të shëndosha. Ndërkaq, kritikat që shpesh herë mund t’i hasim lidhur me këto synime e ambicie të Lëvizjes janë kryesisht të komuniteteve materialiste dhe atyre të shquar apo identifikuar si pozitivistët antifetarë, të cilët bëjnë përpjekje të mohojnë çdo rol shoqëror që ka të bë bëjë me rolin dhe rëndësinë e religjionit në jetën civile dhe atë publike. Për ta edhe më tej mbetet shkenca (“feja e re“) si i vetmi autoritet e udhërrëfyes suprem për të dhënë përgjigje jo vetëm për fenë, por, edhe për jetën socio ekonomike e shpirtërore të njeriut të sotëm. Kritikët pozitivist dhe ata materialist, këmbëngulin se qëllimi i lëvizjes ishte që ta vendosë hegjemoninë mbi shoqërinë civile turke, disa duke shkuar aq larg sa të pohojnë se lëvizja po hedh bazat për marrjen e (pushtetit) shtetit dhe për vendosjen e një hegjemonie (!) të re sociale ashtu siç ndodhi me ngjarjet… e viti 2016 (të cilat nuk janë as objekt e as synim elaborimi në këtë rast), në shoqërinë e sotme turke. Natyrisht, studimi ynë, po edhe studimet tjera dëshmojnë dhe tregojnë, se lëvizja nuk ka qëllime të kësaj natyre. Përkundrazi, lëvizja kërkon dhe synon të formësoj dhe emancipoj shoqërinë dhe politikën e saj vetëm duke e zhvilluar e forcuar ndjenjën e moralit dhe virtytit midis besimtarëve, komuniteteve, shtetit dhe njerëzimit në tërësi. Kritikët e apostrofuar kultivojnë një perceptim tejet të ngurtë dhe paragjykues për rolin që duhet ta ketë shoqëria civile në një vend demokratik. Për më tepër, shoqëria civile, për ta, është një vend që ekziston për të rritur e kultivuar me kujdes liritë qytetare dhe si rrjedhim një instrument i domosdoshëm për të mbështetur një stil jetese shekullare e laike. Kjo perspektivë e kësisoj, logjikisht presupozon që shteti, si një institucion moral dhe i ndritur, duhet të luajë rolin e mbrojtjes së lirisë dhe parandalimit të fuqizimit të identiteteve dhe shoqatave primordiale në shoqëri. Lëvizja Gylen, në fakt, paraqet një rast bindës për shqyrtimin e efekteve shoqërore të aktivizmit pietist e vullnetar dhe rolin e saj në motivimin e veprimit shoqëror për realizimin e së mirës së përbashkët. Kërkimi për një jetë kuptimplote është në qendër të ringjalljes aktuale islame në shumë vende myslimane. Ringjallja nuk ka të bëjë vetëm me identitetin dhe moralin, por thekson drejtësinë mbi të gjitha. Ashtu si shumë liderë fetarë, Gyleni identifikon lakminë, egoizmin, frikën dhe injorancën si burime të vuajtjeve njerëzore. Lëvizja Hyzmet, me rrjetet e saj aktive shfrytëzon hapësirat ekzistuese të mundësive në arsim, tregti, media dhe politikë për të ripërcaktuar dhe ri dimensionuar marrëdhëniet shoqërore, dhe në mënyrë të ngjashme, ajo përdor kufirin midis shtetit dhe shoqërisë, për të nxitur dialogun midis kulturave. Kuptimi i Gylenit për aktivizmin pietist e vullnetar islamik, bazohet kryesisht dhe veçanërisht në dhembshurinë dhe mëshirën si dy vlerat kritike për rritjen e shoqërisë civile. Këto dy vizione konkurruese të shoqërisë civile janë në qendër të debatit aktual të ndezur mbi ndikimin e lëvizjes Gylen. Laicistët bashkë me shekullarist dhe intelektual majtistë, insistojnë në përjashtimin e plotë të grupeve me ngjyrime dhe ambicie fetare me petkun e shoqërisë civile. Të tillët, Lëvizjen e projektojnë jo vetëm si kërcënim për pozicionin e tyre ideologjik e laicist, por edhe si armik të vetë shtetit dhe pushtetit. Gylen nuk ka të bëjë (ashtu, siç mendojnë ca dashakëqij) vetëm me shtresat e varfra injorante (shprehur sociologjikisht; shtresat e varfërisë së skajshme) apo vetëm me të shtypurit e margjinalizua (sociologjikisht të identifikuar si precariat), por u adresohet shumë më shumë fuqizimit të gjitha shtresave dhe kategorive sociale, ngritjes së ndërgjegjes sociale e asaj fetare, duke e rikthyer kështu si spiritualitetin ashtu edhe dijen (e “prodhuar” përmes një arsimimi permanent) në qendër të jetës së përditshme publike. Gyleni mendon se demokratizimi e jo islamizimi i shoqërive është qëllimi, synimi, ambicia dhe imperativi që e mundëson edukimin dhe arsimimin e qytetarisë së kohës sonë. Dhe se mbarësimi i kryqëzuar midis të shenjtës dhe laikes shoqëritë do i dërgon pashmangshëm ato në forma më të racionalizuara dhe moderne të besimit dhe praktikës fetare.