
Kryeministri Albin Kurti kishte thënë gjatë fushatës se në qeverisjen e tij nuk do të bëheshin punësime familjare nëpër ministri.
“Nuk mundemi me i mbush ambasadat sikur nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinj. Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat, s’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti në njërin nga tubimet e tij elektorale, teksa ishte kandidat për Kryeministër, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, Kurti me të ardhur në pushtet ka harruar edhe të gjitha zotimet e tij, pasi që vetëm në KEK janë punësuar qindra persona, që kanë lidhje të ngushta me pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, e të cilët mbajnë pozita kyçe në parti ose në institucione.
Gazeta Insajderi ka raportuar për shkeljet e radhës që kjo Qeveri ka bërë në punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës- KEK-un.
Përpos punësimeve familjarë në disa skandale që Insajderi raporti ditë më parë, siç ishte ajo në Komunën e Gjilanit e në disa ministri të qeverisë Kurti, tani fokusi i punësimeve të militantëve të partisë iu është kthyer korporatave.












