Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në mediat sociale ka folur lidhur me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Berisha e ka cilësuar fjalimin e Ramës si fjalën më të turpshme të mbajtur ndonjëherë nga një përfaqësues i Shqipërisë.
Sipas Berishës, Rama në vend që të mbronte interesat kombëtare, ia kushtoi fjalën e tij frikës nga algoritmet dhe skandalet e brendshme. Ai shtoi se Rama nuk shqiptoi asnjë fjalë për Kosovë apo për liderët e UÇK-së.
Në fjalën e tij, Berisha bëri një paralelizëm mes qëndrimit të Ramës dhe kryeministrit kroat, i cili sipas tij denoncoi hapur në OKB veprimet destabilizuese të Beogradit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiq.
Fjala e plotë e Berishës:
“Fjala e Padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të jashtëm të Shqipërisë apo atyre të Koresë së Veriut.
Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fandaksur, i tmerruar nga protesta rinore, qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, i kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në këtë fjalim, në atë sallë e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së.
Tradhtia i ka zënë grykën. E ka mbërthyer për gryke dhe nuk e lejon më të shqiptojë një fjalë. Histori e turpshme. Në atë sallë, në një fjalim të shkëlqyer, kryeministri i vendit mik, Kroacisë, foli sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë. Ai denoncoi veprimet e Beogradit, nderimet ushtarake që i bëhen monstrave të gjenocidit të Bosnjës, Ratko Mlladiç, përpjekjet destabilizuese të Beogradit në Kosovë dhe për probleme të tjera të rajonit.
Kurse për Edi Ramën, universi i tij ishte algoritmi, që në fakt i ka kallur tmerrin dhe datën në çdo qelizë të tij. Por, me këtë rast, i ftoj edhe ata pak qytetarë të Kosovës që për jugosllavizmin e tyre, apo për të mbetur si relike, apo për enverizmin e tyre, vazhdojnë dhe bëjnë të mashtruarin nga Edi Rama.












