Deputeti i VV’së, Haki Abazi, ka tentuar sot ta sqarojë se si funksionon puna e gazit amerikan, që u refuzua nga qeveria Kurti.
Abazi, gjatë seancës që po mbahet në Kuvend tha se publiku ‘’po helmohet me idenë e refuzimit të gazit’’, që sipas tij nëse vazhdohet diskutimi i tij nuk çon në zgjidhje, pasi ishte problem infrastruktura për atë gaz/.
‘’ Deshta të bëj një intervenim të shpejtë meqë po vazhdon të helmohet publiku me këtë idenë e refuzimit të gazit e unë mendoj që sinqerisht nëse vazhdojmë me diskutu së paku të mbetemi te faktet dhe argumentet.
Edhe sikur t’ish pranu gazi prej kujtdo nuk kish me qenë adresim i krizës me të cilën po ballafaqohemi sot.
Të gjithë e dimë që gazi nuk vjen këtu si paketim i mallit, por na duhet të paktën 10 vjet për shtrirjen e infrastrukturës.
E dyta, ideja që gjatë gjithë kohës me përdorë këtë argumentin gazi amerikan, gazi amerikan, është jashtëzakonisht e ulët për neve si deputetë me tentu me helmu marrëdhënien me një shtet që të gjithë e kemi të qartë raportin të cilin e kemi”, tha ai.
Kujtojmë se para disa ditësh Ministria e Ekonomisë ka thënë se negociatat e fundit me MCC’në, nuk kanë të bëjnë me gazsjellësin amerikan. Ndërsa Metro ka raportuar ekskluzivisht më parë nga burimet e veta diplomatike në Prishtinë, se tashmë gazsjellësi është projekt i vdekur.













